Arrestohet një 35-vjeçar me 3 identitete, në kërkim edhe dy të tjerë

Një 35-vjeçar nga Vlora, me tre identitete është arrestuar nga policia me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Ai është Muharem Koroveshi i njohur dhe me dy mbiemrat e tjerë, Ismaili dhe Myftaraj.

35-vjeçari i cili u ndalua gjatë operacionit “Trekëndëshi”, akuzohet se bashkë me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim planifikuan vrasjen e Inez Hajrullait në Vlorë. Ekzekutimi ishte menduar të kryhej në gusht, por ngjarja u parandalua, pasi policia e Vlorës vuri në pranga personin që kryente vrasjen.

Në verën e vitit të kaluar, blutë arrestuan Amarildo Nikollin, të cilit iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë me selenciator. 35-vjeçari nga Shkodra i cili njihet dhe me mbiemrin Xhanej, ishte i pajisur edhe me municion luftarak, doreza dhe kapuç për të kryer vrasjen e Ines Hajrulla. Ky i fundit njihet si një prej eksponentëve të botës së krimit në qytetin e Vlorës, ndaj të cilit janë organizuar disa atentate për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale në qytetin bregdetar.

Të tre këta persona konsiderohen nga policia dhe prokuroria si organizatorë dhe porositës të atentatit ndaj Ines Hajrulla. Ata akuzohen nga autoritetet se kanë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, duke siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasje, si dhe për mbajtjen pa leje të armëve.

Veprat penale sipas policisë së shtetit janë kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal apo organizatës kriminale. Ndaj tyre në muajin shkurt të këtij viti Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Klan News