Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi dy të plagosurit në atentatin në Don Bosko pasditen e të martës kanë dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen e rëndë.

Nga spitali i Traumës, 52 dhe 22-vjeçari mohuan të kenë pasur konflikte me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit dhe nuk kanë arritur të identifikojnë autorët.

“E kisha lënë për të pirë kafe me Renaldo Metushin dhe u ulëm në verandën e lokalit. Ne pimë kafe çdo ditë në të njëjtin lokal sepse jemi të papunë. Unë nuk kam parë kush më ka qëlluar dhe nuk e di kush ka dashur të më vrasë. Nuk kam asnjë konflikt me njeri dhe nuk i ruhem askujt. Lëviz lirshëm rrugëve dhe në kafe rri i pa shqetësuar”, tha Elezaj.

I riu Metushi i tha oficerëve të policisë gjyqësore se pasi u larguan autorët e kuptoi që kishte marrë plumb në këmbë.

Agresorët të cilët qëlluan me armë zjarri me silenciator u larguan me këtë automjet, që është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Don Boskos.

Grupi hetimor ka dyshime se objektiv i sulmit të ketë qenë Kastriot Elezaj për konflikte që mund të ketë pasur përgjatë kësaj periudhe me persona të tjerë.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që atentati të jetë kryer për shkak të së shkuarës kriminale të tij, pasi më herët ka qenë i dënuar për prostitucion.

Megjithatë sipas policisë, dy të plagosurit nuk njihen si anëtar të ndonjë grupi kriminal. Arma e krimit, e gjetur në makinën e djegur Golf 5 është e njëjta që është qëlluar në atentat, pistoletë e kalibrit të ulët, 7.65 mm.

Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi ndodhen ende në spitalin e Traumës në kryeqytet nën kujdes intensiv. Sipas bluzave të bardha ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Klan News