Transformimi Spitalor, Autonomia Spitalore dhe sfidat e së ardhmes ishin në fokus të konferencës së zhvilluar në Tiranë, ku ishte e pranishme ministrja Albana Koçiu, mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë.

Ministrja Koçiu u ndal te ndryshimet në Ligjin “Për Urdhërin e Mjekëve”, i cili rregullon veprimtarinë e bluzave të bardha dhe përcakton standardet e kriteret për aktivitetin e tyre.

“Pjesë e ndryshimeve të propozuara është dhe përjashtimi i mundësisë për të trajtuar pacientët e marrë përsipër në sistemin publik privatisht. Gjithashtu, është propozuar të qartësohen edhe procedura e detyrueshme të kërkesës së aprovimit me shkrim për të punuar jashtë sistemit,  si dhe pamundësimi i mbajtjes së posteve drejtuese në rast të punës paralele. E kemi studiuar me vëmendje praktikat e tjera ndërkombëtare dhe pothuajse në të gjithë vendet e tjera europiane ku aplikohet si model, mjekët kanë nevojë për të marrë një autorizim nga spitali për të punuar jashtë sistemit në privat”, shprehet ministrja Koçiu.

Ministrja shtoi se autonomia spitalore është distancim i politikës nga menaxhimi spitalor.

“Autonomia administrative, përfshirë vendimmarrjen në përcaktimin e strukturave administrative, politikbërjet e brendshme apo menaxhimin e burimeve njerëzore; autonominë financiare, me mundësinë për të gjeneruar të ardhura jashtë sistemit për vetë spitalin”, thekson Koçiu.

Pas Spitalit Rajonal Memorial Fier, QSUT-së dhe Spitaleve në Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Vlorë, ambicia e Ministrisë së Shëndetësisë është që aplikimi i autonomisë spitalore përgjatë 3 viteve në vijim, të zgjerohet në 17 qendra spitalore të vendit.

Klan News