Situata me zjarrin në Shëngjin është lënë pas. Gjithçka i është kthyer normalitetit dhe pushuesit vijojnë pushimet e tyre.

Plazhi në Shëngjin është i mbushur me vizitorë. Po ashtu edhe zona e Ranës së Hedhun ku gjendja ishte më problematike për shkak të flakëve, pasi pati edhe dëme të vogla në biznese.

Pushuesit u larguan përkohësisht nga plazhi për shkak të rrezikut nga flakët, por tashmë thonë se gjithçka ka kaluar dhe vijojnë pushimet të qetë.

“Plazhi është shumë i mirë, zjarri u fik. Është qetësi, çdo gjë e kthyer në normalitet,” tha një pushues.

“Kanë shpjetur dhe na kanë ndihmuar. Nuk u ndjemë të frikësuar, tani i jemi kthyer normalitetit,” tha një tjetër.

“Zjarrit nuk ke se çfarë t’i bësh, nuk mund ta ndalojë askush për veçse Zotit. Kemi filluar normal pushimet,” u shpreh një tjetër.

“Menduam që të ktheheshim, por pritëm edhe pak dhe vendosëm më pas që të qëndronim. Kështu që qëndruam dhe punën e shpejtë të ushtrisë shqiptare edhe vazhduam pushimet,” tha pushuesi.

“Po u trembëm pak normale, por shyqyr shpëtuam dhe nuk ka problem,” tha një pushuese.

“Një problem i vogël, por për të ikur nga plazhi ka qenë e paarsyeshme. Ne nuk ikëm vazhdojmë të rrimë këtu,” tha një tjetër pushuese.    

Normalitetit i janë kthyer edhe bizneset përgjatë vijës bregdetare. Në ato beach bare dhe hotele  ku zjarri shkaktoi disa dëme, autoritetet pritet të nisin verifikimet.

Klan News