Motrat Gentiana dhe Ilda Marku kanë ardhur në studion e “Ka një Mesazh për Ty” në E Diela Shqiptare në Tv Klan dhe kanë treguar historinë e tyre të dhimbshme dhe jetesën e vështirë që kanë pasur.

Babai i tyre, punonjës policie dhe sot Dëshmor Atdheu, u vra në Komisariatin e Lezhës kur ato ishin ende të vogla.

Janë rritur nga mamaja e tyre, e cila ka sakrifikuar shumë. Nuk ka qenë e lehtë për të përballuar jetën dhe ende nuk kanë një shtëpi ku të jetojnë.

Vazhdimisht kanë ndërruar shtëpitë me qira në pamundësi për t’i mbajtur për shkak të kushteve financiare.

Ardit Gjebrea: Në fakt ta mendosh që një grua e vetme të vendos të mbyll jetën e saj, ju ka shkolluar, ju ka çuar në shkolla të larta. Jeni bërë dy vajza gjithë personalitet. Çfarë ju ka munguar nga pjesa e babait?

Gentiana Marku: Normal pjesa e dashurisë, jemi rritur pa dashurinë e babit. Pjesa e mbështetjes që ke, siguria që tani unë e kuptoj, para disa vitesh nuk e kuptoja sepse sa më shumë përballesh me gjëra të reja në jetë. Në shkollë, kur prezantohesh me dikë, e ke një mungesë në momentin që prezantohesh se kush je. Falë mamit jemi rritur me një dashuri shumë të madhe për xhaxhain, hallat, dajat, por kaq kanë qenë mundësitë nuk ka pasur dikush më shumë mundësi që të na plotësojë ne disa kushte minimale. Që mund të them i meritojmë edhe për shkak të statusit që çfarë familje ne jemi, sepse jemi familje dëshmori. Babi është shpallur dëshmor që në momentin që është vrarë në komisariatin e Lezhës.

Ardit Gjebrea: Por më pas gjatë këtyre viteve ka patur një kujdes?

Gentiana Marku: Janë plot 25 vite që në momentin që ka vdekur babi. Dhe 25 vite që i mban mend mami, mund të them 15 vite të sigurta që i mbaj mend unë që ka ndërruar çdo lloj partie që është tani në pushtet dhe nuk kemi marrë përkrahjen minimale. Do thoja për pjesën e banesës, sepse ne aktualisht jetojmë në shtëpi me qera. Është shumë e vështirë për një grua, sepse ne jemi familje vajzash. Vetëm mami ka punuar, ne tani kemi filluar të dalim në jetë. Nuk është se kemi pasur mundësinë për ta ndihmuar sadopak që të paktën të kemi një strehim. I ka munguar gjithmonë ajo pjesa e sigurisë që çfarëdo që të ndodhi, të paktën strehën e kemi të sigurtë.

Ardit Gjebrea: Është ajo në fakt, burri është shtylla e shtëpisë dhe është ai që mendon për gjithçka duke filluar që nga çatia, siç thuhet në shprehjen popullore, ajo strehëza ku futet familja për ta krijuar. Dhe në momentin që mungon shtylla e shtëpisë, gjithë shtëpia bie. Për më tepër kur ke të gjitha ato sakrifica dhe pamundësi që t’ju krijosh vajzave atë që do donte mami dhe babi. E kuptoj dhe vështirësinë dhe vuajtjen e mamit për këtë shtëpi të munguar për ju.

Gentiana Marku: Ka qenë një sakrificë më vete sepse na është dashur disa herë të ndërrojmë shtëpi me qera, sepse nuk përshtateshim se mbaronte kontrata.

Ardit Gjebrea: Po një kredi?

Gentiana Marku: Në fakt na është ofruar një kredi e butë nga shteti, por është një kredi minimaliste.

Ardit Gjebrea: Nuk mjafton?

Gentiana Marku: Nuk mjafton që ne të blejmë një shtëpi. Dua të theksoj diçka se para 1 muaji ngaqë fola për pjesën e pushtetarëve që kanë pasur mundësi, kanë detyrimin ndaj nesh sepse babi im e ka dhënë jetën për këtë vend. Minimumi të vlerësohet jeta e tij. Para 1 muaji disa familje të policëve të vrarë, një ndër to isha edhe unë me mamin jemi takuar tek Kryeministria, me zv/Kryeministren, ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, që për hir të vërtetës nuk e di, nuk e kam besuar që mund të ketë njerëz që me vërtetë të ndihmojnë. Sepse ne ishim mësuar me premtime boshe, mënyra sesi ai na u përgjigj, se si i mori me aq seriozitet e na dha zgjidhje. Është i vetmi person, pushtetar, që ne na ka dhënë një zgjidhje. Unë i jam shumë falenderuese sepse është i vetmi që ka bërë diçka për familjet e dëshmorëve.

Ardit Gjebrea: Për ju konkretisht çfarë bëri?

Gentiana Marku: Për mua konkretisht më ofroi mundësi punësimi, do vazhdoj të hënën tek OSHEE, ndërsa për mamin i ofroi pjesën e pensionit që do merret ligjërisht. Sinqerisht dua ta falenderoj jashtëzakonisht, është një njeri i mrekullueshëm.

/tvklan.al