Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Pogradec. Policia njofton se një baba ka qëlluar me çifte të birin duke e lënë të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Stropckë pasditen e sotme pas një konflikti familjar të çastit mes babait dhe djalit të tij. Uniformat blu bëjnë me dije se 47-vjeçari me iniciale P.Sh. në gjendje të dehur ka dhunuar babain e tij, 83-vjeçarin me iniciale A.Sh.

Më pas 83-vjeçari ka marrë armën e gjahut dhe ka plagosur djalin e tij, i cili është transportuar për në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë bërë shoqërimin e 83-vjeçarit në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu shërbimet e Policisë kanë bllokuar e sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut me të cilën dyshohet se 83-vjeçari ka plagosur djalin e tij.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje./tvklan.al