Samuel Bishanaku nënkampion Europe stërvitet nga i ati

Sokol dhe Samuel Bishanaku, babë e bir stërviten çdo ditë në këtë palestër. Sokoli pati kulmin e tij në sportin e peshëngritjes me pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Barcelonë 1992. Asokohe Samueli nuk kishte lindur, por e përqafoi sportin e të atit.

Sot ai është nënkampion Europe në stilin e shkëputjes në kategorinë deri 73 kg për moshën deri 17 vjeç. Ai e tregon se si arriti.

“Mu desh një vit stërvitje pa asnjë ditë pushim”.

“Në moshën e Samuelit nuk kemi patur mundësi në Europain. Ai është pararojë para meje. Unë kam marrë medalje 19 vjeç, ndërsa Samueli është 16 vjeç”.

Marrëdhënia mes tyre ndryshon nga orët e palestrës dhe jetës familjare.

“Çdo gjë për peshëngritjen bëhet në palestër, ndërsa në shtëpi është baba”.

“I ndajmë gjërat, në shtëpi është familja e madhe ndërsa këtu edhe bërtas”.

Në fakt në familjen Bishanaku të gjithë merren me sport pasi edhe bashkëshortja e Sokolit Emiljana Ciko është rekordmene e hedhjes së çekiçit, ndërsa më i vogli Manueli ka pak kohë që merret me peshëngritje. Ndoshta në të ardhmen do të ketë edhe një tjetër Bishanaku në Lojërat Olimpike.

“Duke filluar nga viti tjetër do të mendojmë për një pjesëmarrje në olimpiadë, nëse çdo gjë shkon aty ku duhet”.

Tv Klan