“Mirë do ishte që i vetmi deputet “non grata” në këtë sallë nga aleati strategjik i SHBA të mos ishte në këtë sallë”. Kështu u shpreh Taulant Balla pas fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pasi u kthye në parlament dhe tha i duket vetja sikur është në parlamentin e Taxhikistanit sepse sipas tij kanë kufizuar të drejtën e fjalës.

Por ndër të tjera Berisha foli edhe për kërcënimin për pushtim në Ukrainë, për të cilën lideri historik i demokratëve tha se Shqipëria duhet ta ndihmojë kombin ukrainas. “Të paktën fishekë dhe municione mund t’u dërgohen atyre”, tha Berisha.

Por edhe për këtë, sapo mori fjalën e tij, Balla pati një përgjigje. “Sa i përket çështjes së fishekëve, natyrshëm që gjuha shkon gjithmonë ku dhemb dhëmbi”, tha Balla duke thënë më tej se nuk ka kohë që të merret me “”non gratën” e këtij Kuvendi”.

“Deputeti parafolës tha nuk duhet të isha këtu. Mirë do ishte që i vetmi deputet “non grata” në këtë sallë nga aleati strategjik i SHBA të mos ishte në këtë sallë. Sa i përket çështjes së fishekëve, natyrshëm që gjuha shkon gjithmonë ku dhemb dhëmbi dhe bota e ka parë filmin “Qentë e luftës” dhe ne shqiptarët e dimë se si u shitën fishekët që shkaktuan edhe tragjedinë e Gërdecit, por falë drejtësisë së re që po shfaq guximin për ta hetuar uroj të gjenden pronarët e vërtetë të asaj fabrike vdekjeje në Gërdec dhe si u shpërdoruan asetet për mbrojtjen e këtij vendi. Asnjë prej nesh nuk ka kohë të merret me “non gratën” e këtij Kuvendi dhe të njëjtën gjë do të bëj dhe unë”, tha Balla.

Ndër të tjera, kreu i grupit parlamentar socialist foli edhe për marrëveshjen me KE për asistencë për paraanëtarësimin.

“Arsyeja pse do doja të flisja është një marrëveshje shumë e rëndësishme që kemi me KE. Është një marrëveshje e cila mban në vetvete instrumentin kryesor të financimit në kuadër të bashkëveprimit me BE-në sepse instrumenti i paaraderimit është instrumenti që çdo vend përdor për të financuar një sërë projektesh. E vërteta është që Shqipëria në kuadër të këtij instrumenti ka bërë dhe vazhdon të bëjë punë të mira”, tha Balla./tvklan.al