Ministri i brendshëm, Taulant Balla u prit në Düsseldorf, nga Ministri i brendshëm i Nordrhein – Westfalen, Herbert Reul.

Gjatë takimit Balla tha se ka një projekt të përbashkët për ta çuar përpara.

Në prag të ndeshjes së tretë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, me Kombëtaren e Spanjës, ministri Balla i shprehu homologut gjerman mirënjohje për mikpritjen e ekipit kombëtar gjatë qëndrimit në Kaiserau.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Mendoj që tifozët shqiptarë janë sjellë në mënyrë të mirë gjatë qëndrimit të tyre qoftë në Dortmund, qoftë në Düsseldorf gjatë ditës së sotme. Ka patur dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyer mes dy policive tona për sa i përket ekranizimit dhe garantimit të sigurisë publike gjatë këtij eventi të madh sportiv. Gjermania ka ndërtuar gjatë organizmit të këtij evropiani një shembull të mirë, një shembull pozitiv. Vlerësoj edhe propozimin tuaj për të forcuar bashkëpunimin mes Ministrisë suaj të Brendshme në Land dhe Ministrisë së Brendshme shqiptare. Le të shërbejnë shqiptarët që jetojnë këtu si një urë ndërlidhëse për një bashkëpunim më të ngushtë mes Landit dhe Shqipërisë.

Balla bëri dhe një parashikim në rast se Shqipëria kalon fazën e grupeve.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Ka një mundësi që të luajmë bashkë. Ne do të fitojmë me Spanjën sot dhe na bie që të luajmë në të gjitha pastaj.

Në Landin Nordrhein – Westfalen jetojnë rreth 35 mijë qytetarë shqiptarë, dhe integriteti i tyre në jetën social-ekonomike vlerësohet.

Klan News