Është prezantuar në shkollën “Gjergji Canco” në kryeqytet, Akademia e Energjisë. Zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se synohet që në këtë Akademi të përgatiten të gjitha stafet që do të kontribuojnë në sektorin energjitik, përfshirë OSHEE-në, Operatorin e Transmetimit OST, apo edhe KESH.

“Shqipëria është duke zhvilluar burime alternative për të mos qenë në varësi totale të flukseve hidrike, duke zhvilluar kështu edhe panele fotovoltaike përmes ankandeve fotovoltaike apo edhe ankandeve eolike.”

Balluku tha se vendi ynë është futur “në rrugën e inovacionit dhe përdorimi i hidrogjenit apo burime të tjera alternative të qëndrueshme si gazi i lëngshëm, bazuar në teknologji që sigurojnë emetime sa më të ulëta, do të jenë zgjidhje për prodhimin vendas pasi Shqipëria synon që në 2030 të kthehet në një vend eksportues neto.”

Deklaroi se po kryhen një sërë investimesh me shkolla të reja profesionale, në laboratorë apo dhe riparimin e atyre ekzistuese. Njëkohësisht, Balluku tha se po punohet edhe për ngritjen e konvikteve në disa zona, për ta bërë më të mundur ndjekjen e këtyre shkollave edhe për të rinjtë nga zonat rurale.

Ministrja theksoi se po bashkëpunohet edhe me Zyrat e Punës, pasi synimi është që të nxiten të rinjtë të zgjedhin profesionin e tyre që në moshën 14-vjeçare për të pasur nesër një armatë të profilizuar.

“Këtë vit ka rritje me 10% të numrit të nxënësve të regjistruar në arsimin profesional”, deklaroi ajo.

Zëvendëskryeministrja u shpreh se në këtë Akademi në një të ardhme të afërt, parashikohet të përfshihen edhe teknikët hidro. Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi theksoi se kjo nismë erdhi pasi kompania OSHEE ka të gjithë resuerset, duke pasur edhe numrin më të madh të profesionistëve të fushës.

“Akademia do të ndahet në tre drejtime. Do të ofrojë trajnimet për stafin e ri në kompaninë OSHEE Do të bashkëpunojë me shkollat profesionale me module të posaçme ku nxënësit të vijnë të bëjnë praktikë pranë OSHEE. Dhe po ashtu do të bashkëpunohet edhe me universitetet për të thithur inxhinierët më të mirë“, tha ai.

Sipas tij, Akademia do të japë certifikata përkatëse për nxënësit që do të marrin pjesë në këtë Akademi.

Klan News