2009 ka nisur pozitivisht në drejtim të rritjes së depozitave të qytetarëve pranë bankave. Muajt e fundit të 2008-s sipas Bankës së Shqipërisë u shoqërua me tërheqjen e një pjese të vogël të depozitave, si pasojë e paqartësisë që solli kriza financiare globale. Por fillimi i këtij viti ka rikthyer besimin e klientëve ndaj sistemit bankar. Akan Ajdini, Drejtor Rajonal i Bankës ProCredit e konfirmon për TV Klan.

Akan Ajdini: “Tregu bankarë, sistemi bankar mund të ketë humbur rreth 10% të depozitave, të atyre që ka pasur dhe në muajt e parë të këtij viti tendenca është që këto depozita po rikthehen në sistemin bankar, dhe kjo është pozitive sepse është rikthim i besimit. Pra nuk është thjeshtë fushata që ka rikthyer këtë besim tek njerëzit po është edhe le të flasim thjeshtë dhe hapur, njerëzit s’mund t’i mbajnë paratë në shtëpi sepse ka shumë risqe. Është risku i inflacionit, është risku i prishjes së parasë”.

Rritjen në nivelin e depozitave bankat e shohin si një faktor mbështetës për mbajtjen lartë të kreditimit ndaj ekonomisë.

Akan Ajdini: “Kreditimi në asnjë moment nga Banka ProCredit nuk është ndërprerë. Fakti është që në këto muaj, në këtë periudhë ku ne po flasim ne do fillojmë dhe kemi filluar faktikisht një fushatë për kredit pro biznes. Nuk është e vërtetë që kredia është shtrenjtuar shumë ose janë shtrënguar masat e kredi dhënies në një mënyrë shumë të fortë. Kjo është thjeshtë një perceptim dhe ne jemi këtu për ta vërtetuar këtë”.

Për të shmangur rreziqet nga kursi i këmbimit, bankat japin këshilla për monedhën në të cilën të merret huaja.

Akan Ajdini: “Ne do të sugjeronim në këtë moment duke pasur parasysh edhe luhatjet e kursit të këmbimit ndërmjet euros dhe lekut, është që kredia të jepet në atë monedhë në të cilën janë edhe të ardhurat”./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Operator: Isdor Rudho

Montazh: Ergis Hasanbelli