Qeveria shqiptare i ka dorëzuar një relacion Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, gjykatë që pritet të japë një mendim konsultativ mbi ligjshmërinë e shpalljes së Kosovës shtetet i pavarur. Gjykata u vu në lëvizje pas kërkesës të autoriteteve serbe dhe OK-in që i dha Organizata e Kombeve të Bashkuara shqyrtimit të kësaj çështjeje prej saj. Relacioni i palës shqiptare,  një mbështetëse e fortë e qëndrimit të Prishtinës zyrtare,  mbështet ndër të tjera faktin se pavarësia e Kosove është një proces i pakthyeshëm.  Ministri shqiptar i punëve të jashtme Lulzim Basha, zbardh ekskluzivisht për TV Klan pjesë të argumentimit zyrtar të diplomacisë shqiptare të parashtruar në relacion.

Lulzim Basha: “Ashtu si dhe Shqipëria, shumë e shumë vende të tjera kanë paraqitur zyrtarisht qëndrimet e tyre të cilat do të merren në shqyrtim nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si pozicionet me shkrim, po ashtu mëse e nevojshme edhe argumentimet verbale pra vetë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, është një e drejtë e pamohueshme e popullit të Kosovës dhe e sanksionuar plotësisht në të gjithë praktikat dhe të drejtën ndërkombëtare dhe se në asnjë aspekt të së drejtës ndërkombëtare nuk ndalohet apo kufizohet deklarata e pavarësisë. Ky është thelbi i qëndrimit tonë”.

Ministri  Basha shprehet optimist dhe mbi atë se çfarë do të thotë në përfundim gjykata ndërkombëtare e drejtësisë. Por në të gjitha rastet vlen të përmendet fakti se konkluzioni është veçse një opinioni këshillimor pa asnjë ndikim ligjor në vendimin për shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt të vitit 2008.

Lulzim Basha: “Ajo që ne presim është që gjykata të konfirmojë atë çfarë e drejta ndërkombëtare e shpreh fare qartë. Që në një deklaratë pavarësie nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Askund në të drejtën ndërkombëtare nuk ka asnjë rregull të shkruar apo të pa shkruar, asnjë praktike me 1 apo e shume precedentë e cila të ndalojë shpalljen e pavarësisë nga një popull, nga një vend dhe ne presim që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ta konfirmojë këtë. Ky konfirmim nuk do të vij nëpërmjet një vendimi. Gjykatës nuk i është kërkuar vendim për këtë çështje dhe as nuk ka kompetencën të marrë vendim për këtë çështje. Sa i përket aspektit politik, ajo që dëshiroj dhe njëherë është se edhe pas paraqitjes së kërkesës, Kosova ka vazhduar në mënyrë progresive me një ritëm tashmë gradual dhe të stabilizuar të njihet nga një numër i madh vendesh të tjera. Numri tani ka mbërritur në 57 vende dhe ecuria e njohjeve të kosovës e para në rrafshin kronologjik dhe krahasuar me kronologjinë e njohjes së vendeve të tjera të hapsirës ish-jugosllave mbetet shumë  emirë”.

Dhënia e një opinioni nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë mbi vendimin për shpalljen e pavarësisë u lexua  nga disa eksperte ndërkombëtare si fitore e diplomacisë serbe.  Një fitore që gjithsesi sipas tyre është vetëm më shumë kohë, për të parashtruar argumentat e saj kundërshtues të pavarësisë.  Por ligjërisht Serbia duket se betejën e ka të humbur që në krye të herës, shtuar këtu dhe qëndrimin e pandryshuar SHBA apo Britanisë së Madhe se pavarësia është një proces i pakthyeshëm./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi