Veliaj: Së shpejti do të ndërtohen edhe shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti

Bashkia e Tiranës po shpërndan ndihma në këtë kohë të vështirë jo vetëm në qytet. Ishte vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në grupin që dorëzoi pako ushqimore në fshatrat Çekreza dhe Morina të Njësinë Zall Herr. Veliaj premtoi se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

“Edhe me shtëpinë do të fillojmë shumë shpejt. Na vonoi pak epidemia, sepse ishim duke mbaruar me dosjet e tërmetit. Megjithatë, nuk do lëmë gjë mangët, do bëjmë edhe dosjet e do e mundim këtë flamë”.

Kryebashkiaku i kryeqytetit tha se masat e marra vlejnë për situatën e krijuar për shkak të koronavirusit.

“Epidemia po vihet nën kontroll. Qeveria vërtet është bërë pak e rreptë, por masat janë të drejta. Eshtë më mirë me qenë pak i rreptë në fillim, për t’i mbajtur njerëzit nëpër banesa, sesa të infektohen të gjithë”.

Në njësinë administrative Zall Herr janë 154 familje që marrin ndihmë ekonomike dhe në këtë situatë janë mbështetur edhe me pako ushqimore.

Tv Klan