Bashkimi Evropian domosdoshmërisht duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në Kosovë. Kjo është kërkesa më e fundit e Italisë lidhur me çështjen e Kosovës e parashturar nga ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini gjatë një takimi me përfaqësuesit e grupit të kontaktit për kosovën, sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan dhe ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, të Britanisë së Madhe, të Rusisë, Francës dhe Gjermanisë.

Takimi u zhvillua dje para hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në pallatin e xhamit në Neë York. Kjo tezë është mbështetur dhe nga ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer si dhe nga ai francez Michel Barnier. Gjatë mbledhjes është diskutuar dhe rëndësia për të pasur një mbështetje rajonale për Kosovën. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar dhe trajtimit të minoritetit serb në Kosovë dhe vlerës që do të ketë vota e tij në zgjedhjet e tetorit.

Në vijim të takimit grupi i kontaktit ka shprehur mbështetje për përpjekjet e Kombeve të Bashkuara dhe në veçanti për përfaqësuesin e misionit të OKB-së në Kosovë për të vazhduar procesin e kalimit të pushtetit tek institucionet demokratike vendase. Ndërkohë në Kosovë ka nisur fushata parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të tetorit, megjithëse ajo ishte menduar të fillonte ditën e enjte. /tvklan.al