Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në Kosovë në orët e pasdites ka takuar Presidenten Vjosa Osmani.

Pas takimit ka thënë se Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. 

“Shqipëria e ka për detyrë që të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Jam shpresëplotë që nesër do të kemi votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës”.

E Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për Shqipërinë. 

“Kurrë nuk është e tepërt që ta shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shqipëria ka bërë dhe po vazhdon të bëjë. Këto ditë Kosova po përballet me një sfidë të re siç është anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Jemi të bekuar që në çdo hap të këtij procesi kemi pasur përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë. Synimi ynë është integrimi i plotë në strukturat euroatlantike. Në këtë rrugë do të ndjekim shembullin e Shqipërisë”.

Presidenti Begaj po qëndron në Kosovë në kuadër të edicionit të dytë të forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në hapje të forumit ai tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitar i konflikteve të përgjakshme, ndërsa gratë janë ato që kanë bartur barrën më të rëndë të konflikteve.

Tv Klan