“Nuk dua lehtësime. Nëse kam gabuar, do paguaj çmimin”. Janë fjalët mes lotësh të Ali Hoxhës, 25-vjeçarit me origjinë shqiptare që drejtonte makinën e përfshirë në aksidentin tragjik të mbrëmjes të së premtes në Fondi (Lazio) të Italisë. Nga përplasja humbi jetën partnerja e tij 24-vjeçare Mariagrazia Bedin dhe u plagos djali i tyre 6 muajsh së bashku me motrën e shqiptarit.

Pikërisht këto fjalë i riu, i cili akuzohet për vrasje rrugore, ia tha avokatit të tij mbrojtës, para marrjes në pyetje nga hetuesit dhe konfirmimit të masës së sigurisë, atë të arrestit në shtëpi.

Ndërsa para hetuesve 25-vjeçari rrëfeu se po i jepte makinës në një rrugë me shumë kthesa dhe në një moment kujtoi fjalët e Mariagrazia-s e cila i tha “bëj kujdes i dashur”, pasi pa hijen e një kafshe. Nga ai moment shqiptari tha se nuk mund të kujtonte më asgjë.

Pasi u dërgua në spital për ndihmë mjekësore Hoxha u arrestua nga policia pasi rezultoi se i jepte makinës nën efektin e drogës e alkoolit.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, 25-vjeçari është në gjendje të rënduar psikologjike për shkak të humbjes së partneres së tij me të cilën bashkëjetonte prej 5 vitesh. Nuk ishin të martuar, por nuk përbënte diferencë. Një familje e lumtur e me harmoni, e përbërë nga çifti dhe fëmijët e moshës 3 dhe 2 vjeç, si dhe vogëlushin 6 muajsh, i cili mbeti i plagosur nga aksidenti.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Sant’Anastasia, mes Fondi dhe Terracina. Shqiptari ishte në timonin e një makine Golf, së bashku me partneren, motrën dhe djalin e vogël kur humbi papritur kontrollin e mjetit dhe u përplas me barrierat anësore të rrugës. Po ktheheshin nga një festë ditëlindjeje ku merrnin pjesë edhe prindërit e shqiptarit. Këta të fundit, së bashku me dy fëmijët e tjerë të çiftit udhëtonin me një makinë tjetër./tvklan.al