Avokatët e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit kanë parashtruar këtë të premte para gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit, Ilirjana Olldashi, pretendimet e tyre sa i përket kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Gjatë kësaj seance ata janë njohur edhe me zhvillimet e tjera hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme gjatë këtyre muajve. Ata kanë kërkuar zëvendësim të masës së sigurisë bazuar kryesisht në faktin se e gjithë dosja, e cila tashmë pritet të kalojë për gjykim, ka përfunduar hetimet dhe nuk ka rrezikshmëri në prishjen e provave. Nga ana tjetër, sipas tyre, ka rezultuar se e gjithë akuza e ngritur nga ana e SPAK është e rrëzuar dhe nuk provohet.

Ndërkohë prokuroria e Posaçme i ka qëndruar kërkesës që të vijojë masa e sigurisë, edhe gjatë vijimit të mëtejshëm dhe procesit të gjykimit.

Vendimi pritet të shpallet në orën 14:30.

“Në thelb kjo është një çështje shumë e thjeshtë. U nis me një kallëzim të rremë të taulant Ballës. Ajo që është shumë interesante. SPAK paska çuar rreth 2-3 muaj sipas udhëzimeve të Taulant Ballës dhe Karlo Bolinos në arkivë të shtetit hetues, patronazhistë që të gjenin edhe letërkëmbimin e stërgjyshërvbe të Jamarbër Malltezit. E bukura është që në ato letra stërgjyshi i thoshte jo superfuqisë së kohës”, tha Malltezi për gazetarët.

Kujtojmë se të mërkurën Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi u morën të pandehur për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Një ditë më vonë u morën të pandehur edhe biznesmeni Xhimi Begeja e ndërtuesi Fatmir Bektashi./tvklan.al