Ky është momenti kur Henerigert Mitri, ish-drejtori i Policisë së Lezhës, është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës shoqëruar edhe nga avokati i tij.

Mitri ishte shpallur në kërkim nga SPAK gjatë operacionit “Revanshi”. Sipas avokatit Ardian Leka shpjegon arsyet e vetëdorëzimit të ish-zyrtarit të lartë të policisë

Ardian Leka, avokat: Është një vendimmarrje e tij personale sigurisht e konsultuar edhe me ne. Përderisa ka një vendim gjykate që ka marrë formën e prerë që ka vendosur burgosjen e tij është normale që drejtues i lartë policie, një punonjës i shteti të marrë vendimin ta zbatojë vendimin e gjykatës dhe kjo ishte këshilla dhe zgjidhja më e mirë e vendosur nga ana e tij që të përballet me drejtësinë nga fillimi në fund.

Ish-drejtori i Policisë së Lezhës pritet të sqarojë pozicionin e tij, pas njohjes me vendimin e gjykatës

Ardian Leka, avokat: Pasi ne të njihemi me situatën konkrete të na njihen provat, pasi ne për hir të së vërtetës nuk i dimë, do të mbajmë një qëndrim korrekt që gjithçka që ka bërë apo nuk ka bërë në aspektin e administrimit të punës së tij. Ai do të ketë një përgjegjësi të vetën. Unë nuk besoj se ai do të ketë problematika me inkriminimin që i është bërë, por besoj se kjo do të jetë pjesë e hetimit pasi ne sot nuk kemi asnjë lloj dokumenti në dorë për të kuptuar se për çfarë është marrë vendimi i gjykatës.

Pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK, Henerigert Mitri u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit më 20 Maj 2024 me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Henerigert Mitri dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të policisë së qarkut Lezhë së bashku me oficerin Klodian Shahini, gjithashtu i akuzuar nga SPAK, ushtronin aktivitetin e kultivimit të kanabisit dhe të lojërave të fatit në qarkun e Lezhës.

E gjithë veprimtaria e tyre u zbulua nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin “Sky”. Mitri sipas këtyre komunikimeve, dekonspironte operacionet antidrogë, si dhe në komunikime ofrohej për të ndihmuar personazhe të caktuar në aktivitete të paligjshme.

Në momentin e lëshimit të urdhër-arresteve nga SPAK, Henerigert Mitri mbante postin e shefit të Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike.

Klan News