“SPAK ka hetuar edhe pasurinë e Berishës”, kështu është shprehur gazetari Eni Ferhati, i cili ka evidentuar në dosjen hetimore dhe 3 raste shpenzimesh për kreun e PD-së, të cilat sipas SPAK nuk justifikohen.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ferhati thotë se akuza që SPAK i ka komunikuar Berishës bazohet në dokumenta dhe jo në dëshmi të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në dosje.

Glidona Daci: SPAK pretendon se shtetasi nën hetim, Sali Berisha ka përfituar avantazhe të drejtpërdrejta, jo vetëm ndërmjet shfrytëzimit të pasurive të familjes Malltezi, por ai ka përfituar dhe financim nga shoqëria “Home Plan sh.p.k” në kuadër të fushatës zgjedhore të vitit 2013 nëpërmjet pagesave që janë kryer për akomodimin dhe udhëtimin e një këngëtari të ftuar prej tij. Sipas verifikimeve, Berisha ka përfituar nga pasuritë e Malltezit.

Blendi Fevziu: A ka bisedë të drejtpërdrejtë të Berishës, a ka ndonjë provë, ndonjë dëshmitar që ka thënë se Berisha i ka kërkuar favor? Pra të jetë i përfshirë drejtpërdrejtë?

Glidona Daci: Për favore, jo.

Eni Ferhati: Ministrat kanë thënë që kanë vepruar në bazë të ligjit. Në dijeninë time nuk ka. Akuzat janë bazuar mbi dokumentat. SPAK thotë se Berisha ka ruajtur një profil të ulët gjatë jetës zyrtare duke mos shfaqur pasurim të shpejtë. Nuk ka individ që të drejtojë gishtin mbi Berishën.

Artan Hoxha: Edi Ramën a e kanë pyetur pse e kanë lëshuar atë vendim të 2006-ës?

Glidona Daci: Jo nuk e kanë pyetur.

Artan Hoxha: Nga dokumenti që kemi parë në fillimin e Tetorit të vitit të kaluar, me dokumentin e sotëm, a ka ndonjë gjë ndryshe, të re që ka ndonjë lloj peshe që nuk e kemi lexuar para një viti?

Glidona Daci: Ne nuk e kemi parë akoma të plotë sepse është një material prej 500 faqesh. Hetimi ka qenë i gjerë, ka pasur dhe verifikim të pasurisë të Berishës dhe të familjarëve të tij dhe janë të fokusuar vetëm në akuzën e korrupsionit për Berishën pasi pretendohet se ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga pasuritë e dhëndrit.

Eni Ferhati: Për pjesën e pasurisë, SPAK-u, po jap vetëm 3 elementë që kam arritur të siguroj nga dosja, të ardhurat e Berishës, nga e gjithë kjo histori është evidentuar një pagesë që Berisha ka bërë së fundmi, pas shpalljes non grata. Një pagesë disa mijëra Euro për të siguruar avokatin ku Berisha të hapë procesin gjyqësor në Paris ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken. Kjo pagesë nuk justifikohet nga të ardhurat që ka Berisha. Sipas SPAK, ja kanë paguar lidhjet e tyre familjare. Pjesë e hetimit ka qenë edhe Fondacioni i zonjës Liri Berisha. Është gjithashtu edhe një pagesë në formë donacioni po nga njerëzit e afërt të Berishës që është bërë për fondacionin. Janë gjithashtu edhe shpenzime për shërbime shëndetësore të familjes Berisha të pajustifikueshme, thotë SPAK, që vijnë nga vepra penale e korrupsionit dhe nga përfitimi i gjithë kësaj.


/tvklan.al