Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha garanton aleatët se do të jenë të përfaqësuar në komisionin për reformën zgjedhore nëse ata marrin pjesë, dhe jo vetëm fasadë, ku çdo kërkesë e tyre do të merret parasysh për interesa të përbashkëta elektorale.

Sali Berisha: “Në komision do të punojmë bashkërisht. Nëse Partia Demokratike është e vendosur të jetë tolerante, të jetë e hapur, të bashkërendojë interesat bashkërisht me to, por natyrisht një protokoll i nënshkruar do të respektohet nga Partia Demokratike. Kemi hedhur firmën, tani unë nuk po hyj në detaje. Se këta aleatët e mi e kanë shumë të mbarë, më thonë në darkë dhe të nesërmen në mëngjes marrin medait, ndonjëri prej tyre, por unë kam tolerancën.”

Berisha u pyet edhe për mundësinë që ka Partia Demokratike për të iniciuar një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Fatos Nano nëse kreu i qeverisë nuk provon shumicën në parlament.

Sali Berisha: “Në fakt, mocioni duhet të ketë votat. Në momentin që votat të sigurohen, sigurisht që do të ketë mocion mosbesimi ndaj tij.”

Lideri i opozitës, konferencën e shtypit ia kushtoi privatizimit të ALBetelcom-it. Sipas Berishës, një gjë e tillë nuk pranohet nga Partia Demokratike pasi në këtë kompani shtetërore janë bërë abuzime të shumta dhe privatizimi i ALBtelecom-it ka për qëllim interesat e kryeministrit Fatos Nano.

Sali Berisha: “Nxjerrja e Telecom-it nga kthetrat e planit Nano-Rafti-Ahmetaj dhe suita e tyre. Së dyti përcaktimi i rregullave të telekomunikacionit në përputhje të plotë me lirinë e tregut të telekomunikacionit dhe rregullat e OBT-së dhe ITU-së që ne u detyrohemi. Pas kësaj, pa diskutim ne jemi të hapur për privatizim.”

Ndër të tjera Berisha është i bindur se protokolli i firmosur nga socialistët dhe demokratët do të zbatohet për pikën ku flitet për balancimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /tvklan.al