Takimi i kryeministrit Berisha me ministrin e departamentit të marrëdhënieve me Jashtë Wang Jiarui risolli në vëmendje çështjen e Kosovës, mundësinë e njohjes nga Kina të shtetit më të ri të Ballkanit. Kryeministri vlerësoi se do të ketë një rishqyrtim dhe rikonsiderim të pavarësisë së Kosovës.

Kina ka një vend mik dhe me Kosovën e pavarur do të jetë një tjetër vend mik, tha Berisha. I kënaqur me ecurinë e zhvillimeve në Kosovë muajt e fundit ministri Jiarui tha, se kjo është një çështje për të cilën duhet dialog dhe vlerësim i vazhdueshëm. Takimi u përqendrua dhe në aspekte të bashkëpunimit Shqipëri-Kinë.  

Kryeministri shqiptar njohu bashkëbiseduesin me reformat e ndërmarra nga qeveria, përpjekjet për krijimin e një klime sa më tërheqëse për investimet e huaja. Një moment që kreu i qeverisë e shfrytëzoi gjithashtu për të adresuar një ftesë direkte për investitorët kinezë të vijnë në Shqipëri, gjë për të cilën ministri Wang Jiarui i garantoi angazhimin e tij personal.

Në përfundim të takimit kryeministri Berisha shprehu dëshirën për të pritur në Shqipëri kryeministrin e Kinës si shprehje e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi