Partia Demokratike ka gati skenarët e aksionit të saj kundër qeverisë “Rama”. Kryedemorkati Sali Berisha tha se burgosjes së demokratit Ervin Salianji opozita do u përgjigjet me një protestë kombëtare më 6 Tetor për të vijuar më pas me protesta të tjera në qytete të ndryshme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha: Do të jetë padiskutim protestë kombëtare. Do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafias Rama-Xhafa dhe fillimit të betejës tonë.

Protesta e cila është paralajmëruar të shkojë deri në mosbindje civile do të vijojë edhe me bllokimin e punimeve të Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha: Për deputetë, drejtuesit e PD, ka vetëm një objektiv dhe moto, betejë, betejë dhe vetëm betejë. Do të jenë në udhëheqje të protestës, revoltës dhe mosbindjes civile në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit, aty ku të lipset dhe ti kërkojë nevoja.

Burgosja e Ervin Salianjit la dhe një vend bosh në drejtimin politik të PD në qarkun e Elbasanit, por selia blu ende nuk ka një emër për zëvendësimin e tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha: I deleguari i nderit në qarkun e Elbasanit do të jetë Ervin Salianji. Unë kam bindjen se ky akt, se guximi i Ervin Salianjit për të mbrojtur të vërtetat dhe interesin publik të qytetarëve shqiptarë, ka mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Elbasanit.

Kryetari i PD tha se dënimi me një vit burg i Salinjit është politik dhe se qeveria përdor drejtësinë për shkatërruar opozitën pasi i frikësohet humbjes në zgjedhjet e ardhshme.

Klan News