Efektivi i policisë së burgjeve Arbër Labi, 36-vjeç, është goditur me shkop bejsbolli nga tre persona, në afërsi të banesës së tij në Yzberisht, në rrugën “3 Dëshmorët”. 36-vjeçari ushtron detyrën në paraburgimin 313 në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm.

Policia bën me dije se Labi ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Sipas hetuesive autorët kanë qenë me një mjet tip fuoristradë të bardhë. Uniformat blu bëjnë me dije se po punojnë  për identifikimin e autorëve dhe kapjen. Po të njejtat burime theksojnë se 3 personat e kanë goditur efektivin me shkop bejsbolli në kokë.

Në një moment ai ka nxjerrë armën e shërbimit, por autorët ia kanë marrë, ndërkohë që të dëmtuarit i ka mbetur vetëm karikatori, në duar. Në dëshminë paraprake, efektivi Labi ka thënë se dyshon që sulmi të ketë ndodhur për shkak të detyrës. Megjithatë grupi hetimor po heton edhe për ndonjë konflikti me persona të tjerë, që nuk ka lidhje me punën si efektiv burgjesh.

Të njëjtat burime theksojnë se efektivi i policisë së burgjeve  punonte edhe në një lokale nate. Çka sipas hetuesve mund të jetë edhe kjo një pistë e re, për tu verifikuar. Pasi 36-vjeçari  mund të ketë pasur ndonjë konfliktit me autorët që më pas e dhunuan.

36-vjeçari ka disa fraktura në trup, por edhe në kokë. Ndërkohë nga ana tjetër policia është duke mbledhur kamerat e sigurisë së zonës për të bërë të mundur kapjen e të dyshuarve.

Klan News