Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në krah të partnerëve të saj në luftën kundër terrorizmit në nivel global. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në aktivitetin e organizuar në Nju Jork për vlerësimin e kontributit të Shqipërisë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve. Teksa solli në vëmendje historinë mes Shqiptarëve dhe Herenjve, kreu i qeverisë foli për situatën në Izrael e Gaza.

“Në këtë luftë të përbashkët kundër terrorizmit, kundër antisemitizmit, radikalizmit dhe të gjithë të këqijave të botës ku jetojmë, Shqipëria qëndron e vendosur krah gjithë atyre që nuk janë gati të harrojnë mësimet e rënda të historisë dhe as të jetojnë nga e para një të kaluar që i ka kushtuar dhimbjet më të tmerrshme njerëzimit.”

Kreu i qeverisë theksoi mbështetjen e Shqipërisë për armëpushim në frontin e luftës, sqaroi dhe formulën që mund sjellë paqen mes Izraelit dhe Hamasit.

“Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin. Po kështu, ne kemi përkrahur prej një kohe të gjatë dhe përkrahim vendosmërisht zgjidhjen përmes dy shteteve, si e vetmja rrugë përpara drejt një paqeje afatgjatë, por, për ne, kjo do të thotë që Hamasi duhet të dalë “jashtë loje” dhe të krijohet një përfaqësim të besueshëm politik i palës palestineze, i mbështetur nga të gjitha vendet arabe.”

Rama kujtoi ndihmën që Shqipëria u dha qytetarëve afganë, në një kohë që shtete të tjera anëtare të NATO dhe BE nuk i mbajtën premtimet ndaj tyre.

“U desh t’u hapnim dyert edhe mijëra afganëve, jetët e të cilëve u gjendën befasisht në rrezik nga rënia e Kabulit. Ishte vërtet e sikletshme të shihje si më të mëdhenjtë e të pasurit mes anëtarëve europianë të NATO iu shmangën detyrimit më të natyrshëm njerëzor për t’i shpëtuar ata pasi ne lamë vendin e tyre. Ata i besuan ëndrrës që iu shitëm me plot fjalë të bukura, por, befas, ne ndryshuam mendje. I lamë armiqtë e tyre të rimerrnin pushtetin dhe premtimet tona të bukura nuk kishin më asnjë vlerë në errësirën e vetmisë së tyre tmerruese. Jemi shumë krenarë kur shohim që ata marrin frymë lirisht këtu, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada dhe edhe në Shqipëri.”

Kreu i qeverisë thotë se aktualisht Shqipëria ndodhet në nivelet e saj më të larta në arenën ndërkombëtare, ndërsa reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, sollën një drejtësi të re dhe rritën nivelin e turizmit.

“Transformimi i vendit tonë përmes një reforme rrënjësisht të fortë por të nevojshme të drejtësisë dhe lulëzimit të turizmit, me nivelin tonë të lartë të sigurisë dhe rolet tona në Këshillin e Sigurimit, në krye të OSBE-së dhe në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, flet vetë. Ne kemi gjetur zërin tonë në rajon – një zë të cilin fuqitë e mëdha e dëgjojnë dhe e besojnë. Por meraku im është të sigurojmë që ky pozicion i ri i Shqipërisë të bëhet i pakthyeshëm.”

Në aktivitetin e OKB të organizuar nga Lëvizja lufta kundër Anti-Semitizmit, kreu i qeverisë u nderua për lidershipin në luftën kundër antisemitizmit.

Klan News