Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë bashkëbisedimit me qytetarët edhe për bisedën telefonike që ka zhvilluar me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak. Ai u shpreh se Sunak i ka shprehur keqardhjen për çfarë ka ndodhur pas deklaratave të ministres britanike, Suella Braverman. Rama zbuloi se telefonata ka qenë e gjatë dhe e kërkuar nga vetë Sunak.

Më ka shprehur keqardhjen për çfarë ka ndodhur dhe ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur, për shkak të deklaratave të pamenduara dhe të lëshuara qesim siç i themi ne këtej nga fshatrat e Tiranës në raport me shqiptarët dhe kemi diskutuar për këtë çështje, por jo vetëm për këtë çështje. Nuk është folur për asgjë të re, thjesht për të bashkuar forcat më shumë, për tu organizuar më mirë”, u shpreh Rama.

Më tej kreu i qeverisë shtoi se, “Kam përsëritur të njëjtën gjë, lidhur me sesi sipas nesh bëhet e mundur një luftë efikase, jo propagandistike kundër rrjeteve të trafikut që shfrytëzojnë nevojën e njerëzve për t’u larguar dhe nga ana tjetër edhe lidhjet, e dimë shumë mirë që emigrimi në Britaninë e Madhe është një emigrim i lidhur edhe me bazat e krijuara, pjesëtarë të familjeve që janë atje më parë, për të zhvilluar këtë veprimtari”./tvklan.al