“Nëse rikandidon do ketë përballë Sali Berishën”

Për gazetarin Blendi Fevziu, dorëheqja e Lulzim Bashës duhet të jetë e parevokueshme dhe t’i hapet rrugë një lidershipi të ri.

I ftuar në studion e lajmeve të Tv Klan, teksa analizoi zhvillimet e fundit në kampin blu, ai nënvizoi se Basha duhet të ishte larguar që pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Z.Basha duhet ta ketë këtë dorëheqje të parevokueshme, nuk duhet të rikandidojë më për t’i lënë rrugë një lidershipi të ri të Partisë Demokratike që është as Basha, as Berisha, por natyrisht një lidership i ri që nuk mund të bëhet në dy javë”.

Por nëse Basha vendos të kandidojë sërish, Fevizu thotë se përballë do gjejë ish-liderin historik të PD, Sali Berishën, siç ky i fundit ka paralajmëruar.

“Nëse kandidon z.Basha, kandidon z.Berisha, kjo është e sigurt se z.Berisha e ka shprehur ambicien e tij”.

Për Fevziun, pa një garë të vërtetë nuk mund të ketë Parti Demokratike, teksa rendit disa skenare.

“Ka disa skenarë. E para njëherë është që PD të zhbllokohet me një garë. Sepse nuk ka një zgjidhje tjetër. E dyta është që PD duhet të ketë një kompromis të palëve të larguara. E treta është që PD duhet të jetë e hapur dhe për ata persona që janë larguar përpara 25 Prillit në momente të ndryshme”.

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Opinion tha se kreu i ri i PD nuk mund të zgjidhet për një muaj dhe gara duhet t’i sigurojë çdo kandidati kohën të zhvillojë takime dhe shpalos program për drejtimin.

Tv Klan