Nëse shpenzoni shumë para për produktet kozmetike apo trajtimet estetike, ndoshta keni kërkuar shpesh metoda për të kursyer, por pa dobi.

Sipas The Guardian, ka një teknikë që mund ta ndiqni për çfarë mund të përfshini dhe çfarë jo në rutinën e bukurisë. Përgjigjuni këtyre pyetjeve: Sa shpenzoni në vit për trajtimet e bukurisë, procedurat kozmetike dhe blerjen e produkteve? Listoni gjithçka dhe shihni totalin e shumës.

Kur shihni listën, a ka diçka që e doni dhe ju jep lumturi? Mund ta nënvizoni me një ngjyrë (rozë) për të treguar që mund të vazhdoni ta ndiqni.

Më pas shihni ato që i konsideroni të detyrueshme dhe nuk i shijoni. Aty ka gjithnjë hapësirë për të kursyer. Nënvizojini me një ngjyrë tjetër (blu).

Tani bëni bilancin. Cilin prej opsioneve të nënvizuara me blu mund t’i bëni vetë në shtëpi ose mos t’i bëni më? Për shembull, me pak praktikë, depilimi mund të bëhet edhe në shtëpi, ashtu si edhe thonjtë. Ndoshta nuk do të donit të hiqni dorë nga vendosja e ‘extensions’ apo një masazhi që duket aq i nevojshëm herë pas here dhe kështu me radhë.

Më pas, shihni sa shpenzoni për produktet. Mendoni për momentin kur i blini? Ndodh kur keni nevojë  të ndiheni më mirë? Apo nga ‘bombardimi’ i rekomandimeve në rrjetet sociale?

Ndërthurni një sistem “mbaj një, lër një” kur bëhet fjalë për produktet shtesë. Blerjet impulsive mund të jenë shumë tërheqëse, por zënë vend, shpenzojnë para dhe dëmtojnë mjedisin. Listoni gjithçka doni dhe në momentin kur duhet të blini, vendosni çfarë produktesh doni ende. Do të habiteni nga rezultati./tvklan.al