Shqipëria turistike vijon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Kësaj here është revista prestigjioze “Business Traveller” ajo që i ka kushtuar një artikull promovues vendit tonë duke i bërë thirrje lexuesve të saj për ta përfshirë në listën e udhëtimeve.

Arsyet që rendit kjo media janë të shumta, ku evidentohet fakti se vendi laget nga bregdeti mahnitës i Adriatikut dhe Jonit. Krahas detit, në artikull nënvizohet se Shqipëria ofron gjithashtu peizazhe malore, shtigje ecjeje, vende magjepsëse të trashëgimisë së UNESCO-s, një kuzhinë të shijshme dhe mbi të gjitha është një destinacion që ka kosto të ulta.

Në këtë shkrim veçohen disa nga pikat më të njohura turistike. Berati dhe Gjirokastra janë dy qytete historike pjesë e listës së vendeve të UNESCO-s.

Një qytet i rëndësishëm dhe shumë i gjallë është qyteti i Vlorës vija bregdetare e së cilës është e mbushur me bare dhe restorante. Saranda është një tjetër qytet që evidentohet për vijën e saj bregdetare të mrekullueshme natyrore.

Për destinacionet unike, por edhe investimet e fundit në këtë sektor, turizmi në Shqipëri, shkruan revista e njohur, është rritur në mënyrë të shpejtë dhe mbresëlënëse.

Tv Klan