Ministria e Brendshme ka zhvilluar ditën e sotme takimin koordinues me donatorët. I pranishëm në këtë takim është edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili është shprehur se për goditjen e krimit të organizuar, duhet të rritet shpejtësia e kundërveprimit. Gjatë fjalës së tij, ministri Balla ka thënë se investimet totale të planifikuara për periudhën 2024-2026 shkojnë në 35 milionë Euro, ose 5 % e buxhetit total të investimeve.

Taulant Balla: Rritje të bashkëpunimit, duke përfshirë bashkëpunimin gjyqësor. Krimi i organizuar nuk ka nevojë për dokumente, lëviz shumë më shpejt dhe nëse duam të jemi efektivë për ta goditur, të rrisim shpejtësinë e kundërveprimit tonë për ta shfarosur. Kërkojmë angazhim të përbashkët. Siguria kombëtare e publike, një nga prioritetet tona kryesore. Shqipëria mirëpret më shumë se 14 milionë vizitorë të huaj dhe na duhet të bëjmë gjithçka që certifikatën e Shqipërisë si një vend i sigurtë ta përsërisim dhe gjatë këtij viti, ndoshta dhe me një nivel më të mirë sigurie publike.

Në vitin 2023, buxheti i Ministrisë së Brendshme përbënte 3.8% të totalit të shpenzimeve të qeverisë. Falë vëmendjes së qeverisë, në këtë vit buxhetor, kemi pasur një rritje të dedikuar për punët e brendshme dhe investimet totale të planifikuara për periudhën 2024-2026 shkojnë në 35 milionë Euro, ose 5 % e buxhetit total të investimeve. Investimi i nevojshëm për prioritetet kryçe përllogaritet të jetë 5.5 herë më i lartë dhe të shkojë në një vlerë për 195 milionë Euro. Nevojat e tejkalojnë mundësinë e buxhetit tonë të shtetit dhe Ministria e Brendshme vlerëson të rëndësishme bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe me vendet partnere për t’i realizuar këto objektiva.

Do të kërkoja mbështetje për Akademinë e SIgurisë, kemi biseduar me shumë prej jush sa i takon mbështetjes dhe do të mirëprisja të ecim sa më shpejt sa i përket forcimit të kapaciteteve të kësaj akademie që është i vetmi burim për energjizimin e organizatës së Policisë së Shtetit. Ne do të miratojmë ligjin e ri për Policinë e Shtetit që ka në themel një ristrukturim të karrierës brenda Policia së Shtetit. Objektivi ynë, krijimi i Zyrës së Rikuperimit të Pasurive pranë Policisë së Shtetit. Shpresoj ta miratojmë së shpejti dhe menjëherë të fillojmë zbatimin sepse është shumë e rëndësishme ngritja e kësaj zyre.

Theksoj angazhimin tonë në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Kemi arritur rezultate të mira dhe të gjithëpranuara nga miqtë e Shqipërisë sa i përket rezultateve në menaxhimin e kufijve. Ne kemi arritur të trajnojmë një pjesë të mirë të rojeve kufitare. Migracioni i paligjshëm është një prej sfidave më të rëndësishme në të gjithë globin. Na duhet të rrisim fokusin e përbashkët sa i përket garantimit të kufijve të sigurtë, duke pasur një fokus të veçantë ndaj migracionit të paligjshëm. Ulja me 90% e qytetarëve shqiptarë që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme në Britani, një nga indikatorët e suksesit.


/tvklan.al