Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Partia Demokratike ka deklaruar përfundimisht mospjesëmarrjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat Pal Dajçi deklaroi sot në mbledhjen e byrosë parlamentare, se kjo parti nuk e njeh këtë komision zgjedhor. Dajçi shkëmbeu replika të ashpra me kryetarin legalist Guri Durollari, i cili propozoi dy kandidatë për një vend bosh në KQZ.

Astrit Gurguri dhe Muharrem Gjudollari, janë propozimet e Durollarit, ndërsa E Djathta e Bashkuar, ka propozuar Ariana Natin, e cila është tërhequr nga posti i nënkryetares së Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kryeparlamentari Gjinushi i ka kërkuar Durollarit të paraqes deri ditën e enjte dokumentacionin mbi dy kandidatët.

Votimi për anëtarin e shtatë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të zhvillohet mes këtyre tre kandidatëve. Ndërsa të hënën e ardhshme deputetët do të vendosin me iniciativat ligjvënëse për rikthimin e Leka Zogut dhe krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame