Italia është në alarm nga i nxehti ekstrem, që ka shtuar dyndjen e pacientëve nëpër spitale. Këtë të premte, arriti në 22 numri i qyteteve që kanë shpallur alarmin e kuq për shkak të temperaturave të larta, që janë pjesë e një vale të re të nxehti të nisur këtë të premte. Ndihmë spitalore kanë kërkuar veçanërisht të moshuarit dhe personat që kanë probleme kardiovaskulare.

Masat e alarmit të kuq parashikojnë reduktimin e orëve të punës, veçanërisht për punonjësit që janë të ekspozuar ndaj vapës pasi punojnë në ambiente të hapura. Këshillohen që personat mbi 65-vjeç të shmangin sa më shumë daljet nga shtëpitë, veçanërisht në oraret e pikut.

Mes qyteteve ku është shpallur alarmi i kuq është Roma, Milano, etj. Përllogaritet që edhe në këtë valë, temperaturat të kapërcejnë 40 gradë Celsius. Kjo verë shënoi disa valë të nxehti në Itali, ashtu si në gjithë Europën e më gjerë në hemisferën e veriut dhe pritet të thyejë rekorde të nxehti, për shkak të pasojave të ngrohjes globale.

Tv Klan