Trajneri i Real Madridit Karlo Ançeloti po shqyrton mundësinë e lejimit të lojtarëve për pushime të shkurtra gjatë sezonit për shkak të shqetësimeve rreth kalendarit të ngjeshur.

Në prag të sfidës së parë të këtij viti futbollistik në La Liga kundër Majorkës, tekniku italian deklaroi në konferencën për shtyp se shtimi i numrit të sfidave me klubin dhe kombëtaren, po ndikon te lojtarët e tij.

“Lojtarët kanë nevojë për t’u relaksuar dhe ne po mendojmë t’u japim pushime individuale gjatë sezonit. Një ide është që t’u japim pushime gjatë sezonit, t’i japim një javë pushim një lojtari në mënyrë që ai të shkojë dhe të qëndrojë me familjen e tij, veçanërisht ata që grumbullohen me përfaqësueset, të cilët kanë shumë pak kohë të lirë, pasi zakonisht nuk marrin as edhe një ditë pushim gjatë grumbullimeve me kombëtaret”.

Pasi fitoi La Liga dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar dhe tani është në garë për shtatë tituj, Ancelotti beson se ‘galaktikët’ duhet të bëjnë sakrifica për të ruajtur shëndetin dhe gjendjen fizike të futbollistëve të tyre.

Ai tha se stafi i tij e ka mendjen te sezoni 2025-2026, me Kupën e Botës 2026 që nis më 11 Qershor e përfundon më 19 Korrik, e organizohet nga Kanadaja, Meksika dhe SHBA.

Ançeloti u shpreh se pret një përballje të vështirë kundër Majorkës së Muriqit në sfidën e parë të sezonit në La Liga, por ai beson te një fillim i mbarë për “Los Blankos”.

Klan News