Ukraina e nisi inkursionin në territorin rus për të “rivendosur drejtësinë” dhe për t’u bërë presion forcave të Moskës. Kjo është deklarata e parë nga presidenti Volodymyr Zelenskiy për ofensivën e befasishme të Kievit në rajonin perëndimor të Kurskut.

Moska zyrtare deri tani është zotuar për një përgjigje të ashpër, por si presidenti Putin ashtu dhe zyrtarët ushtarakë janë përpara një dileme të madhe: t’i lëvizin apo jo forcat nga fronti i Ukrainës.

Luftimet në rajonin Kursk të Rusisë hynë në ditën e gjashtë dhe autoritetet ruse nxituan për të evakuuar banorët, ndërsa në tre rajone kufitare kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ministria ruse e Mbrojtjes tregoi të dielën pamjet e goditjes së tankeve ukrainase me dronë. Bjellorusia gjithashtu, një aleate e vendosur e Moskës, dërgoi më shumë trupa në kufirin e saj me Ukrainën.

Në fjalimin e tij të përditshëm, presidenti Zelenskiy tha se kishte diskutuar operacionin me komandantin e lartë ukrainas Oleksandr Syrskyi.

“Sot mora disa raporte nga Komandanti i Përgjithshëm Syrskyi në lidhje me vijën e frontit dhe veprimet tona për të shtyrë luftën në territorin e agresorit. Ukraina po provon se mund të rivendosë drejtësinë dhe po mban agresorin nën presion.”

Gjatë natës pati sulme të reja ruse në rajonin e Kievit. Dhe pasi një baba dhe djali i tij 4-vjeçar u vranë të dielën, Zelenskiy u kërkoi sërish partnerëve perëndimorë të Ukrainës për “vendime të forta” për të lejuar trupat e tij të godasin thellë brenda Rusisë me armë perëndimore me reze të gjatë veprimi.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se kishte shkatërruar 14 dronë ukrainas dhe katër raketa balistike taktike Tochka-U gjatë natës mbi rajonin e Kurskut dhe 18 dronë mbi rajonet e tjera ruse që Ukraina i sulmon shpesh.

Herët të dielën, zyrtarët e Kursk-ut thanë se 13 vetë u plagosën në qytet pasi mbeturinat e një rakete ukrainase ranë mbi një banesë nëntëkatëshe. Në pamjet e para nga vendngjarja dukeshin flakët që ngriheshin përmes apartamenteve të shkatërruara.

Guvernatori i Kursk-ut Alexei Smirnov, urdhëroi autoritetet lokale të përshpejtojnë evakuimin e civilëve nga zonat në rrezik. Të shtunën, agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se mbi 76,000 vetë janë evakuuar.

Blogerët ushtarakë rusë thonë se luftimet po zhvillohen deri në 20 km brenda rajonit të Kurskut, duke bërë që disa prej tyre të pyesin pse Ukraina ishte në gjendje të kalonte kaq lehtë kufirin.

Klan News