Ushtria ukrainase vazhdon të përparojë brenda rajonit rus të Kurskut, teksa Moska akuzon perëndimin si orkestrues të këtij sulmi.

Të dhënat më të fundit të bëra të ditura nga Kievi tregojnë se ukrainasit e kanë zgjeruar në 82 numrin e vendbanimeve nën kontrollin e tyre në Kursk, nga 74 që thanë se kishin më herët gjatë kësaj jave. Territori nën kontrollin e tyre tashmë është 1150 kilometra katrorë nga 1 mijë që ishte para pak ditësh.

Në një intervistë për të përditshmen “Izvestia”, Nikolai Patrushev, një prej këshilltarëve kryesorë të presidentit rus Vladimir Putin tha se NATO dhe Perëndimi janë planifikuesit e sulmit të ukrainasve në rajonin e Kurskut. Sipas Patrushevit, presidenti amerikan nuk tha të vërtetën kur u shpreh se nuk kishte dijeni për këtë sulm.

“Pa mbështetjen e NATO-s, Kievi nuk do i hynte kësaj aventure” – tha Patrushev, i cili paralajmëroi se së shpejti do të ketë një kundërpërgjigje të fortë.

Britania e Madhe pranoi se ukrainasit kanë përdorur tanket e tyre Challenger 2 në sulmin tokësor në territorin rus.

Qeveria britanike tha se i ka dhënë leje ukrainasve për të përdorur armë të këtij vendi edhe në territorin rus. Megjithatë, aleatët perëndimorë ia kanë ndaluar Kievit përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për jashtë territorit ukrainas.

Tv Klan