Rrjeti televiziv amerikan CNN i kushton një shkrim të gjatë marrëveshjes Meloni-Rama për hapjen e kampit për emigrantët në Shqipëri.

Qeveria italiane thuhet në shkrim është gati të hap dy qendra të pritjes së emigrantëve në Shqipëri në Tetor, ku emigrantët e shpëtuar në det, rrugës për në Itali do të procedohen për azil, por nga ana tjetër ky plan ka marrë kritika nga grupet e të drejtave të njeriut.

Qendrat, njëra në qytetin port shqiptar të Shëngjinit dhe tjetra më tej në brendësi në Gjadër sipas planifikimit fillestar duhej të hapeshin më 1 Maj pasi të dy vendet nënshkruan një marrëveshje dypalëshe Nëntorin e kaluar, por hapja është shtyrë për në muajin Tetor, por ende pa një datë zyrtare përfundimtare. Këtë e ka konfirmuar për CNN Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi.

“Do të fillojmë në Tetor. Patjetër që ka pasur disa muaj vonesë, ka pasur disa kontrolle normale, në të cilat kemi zbuluar, për shembull, që toka duhet të përforcohet. Kjo është e gjitha, ndryshime shumë normale gjatë ndërtimit.”

Ndërkohë që Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) është ftuar nga qeveria italiane për të monitoruar qendrat pasi ato të fillojnë, por gjithashtu nuk i është dhënë një datë fillimi. Përfaqësuesit që do të monitorojnë qendrat janë në gatishmëri për të qenë në vend kur ato hapen, tha një zëdhënës i UNHCR për CNN.

Qendra e Shëngjinit fillimisht do të ketë 880 vende. Ata që kualifikohen për të dëgjuar kërkesën e tyre për azil do të zhvendosen më pas në qendrën në Gjadër, e cila do të hapet me 144 shtretër dhe më pas do të zgjerohet për të mbajtur 3,000 persona ndërsa ata presin një përgjigje për aplikimin e tyre nga Italia. Kompleksi ka gjithashtu një burg me 20 shtretër të sigurisë maksimale dhe shërbime mjekësore emergjente.

Një personel prej 500 personash, duke përfshirë oficerë policie dhe ushtarake, punonjës shëndetësorë dhe staf nga Ministria e Drejtësisë Italiane do te menaxhojnë qendrën në Shqipëri, me një kosto të vlerësuar prej 252 milionë Euro.

CNN shkruan se Italia do të paguajë 670 milionë Euro për kontratën fillestare pesëvjeçare për funksionimin e qendrave dhe gjithashtu do të paguajë për një perimetër të dytë sigurie që do të sigurohet nga rojet shqiptare, që asnjë nga azilkërkuesit të mos mund të largohet.

Klan News