Zona e “Pazarit të Ri” do i nënshtrohet rehabilitimit të fasadave si dhe ndërtimit të një parkimi nëntokësor. Gjatë prezantimit të projektit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se parkimi do të shfrytëzohet dhe nga pallatet rreth e rrotull zonës, duke u abonuar.

“Në hierarkinë e prioriteteve të një qyteti, janë njerëzit dhe pastaj mjetet që janë në funksion të njerëzve. Kjo është arsyeja pse kemi planifikuar një parkim nëntokësor për 210 vende që dalin dhe teprojnë. Kjo do të thotë së stabilizohet fare mirë edhe një pjesë e banorëve. Pallatet që kemi përreth janë ndërtuar ose në kohën e fashizmit, ose në kohën e pasluftës. Kjo do të thotë që nuk ishin planifikuar me garazhe nëntokësore. Banorët mund të marrin një abonim, edhe supermarketet, AirBNB-të, dhe kushdo tjetër që le të themi ka një klient, ka një hapësirë ku klienti mund të rrijë përkohësisht, të kryejë punët e veta dhe pastaj të largohet për t’i hapur vendin dikujt tjetër. Ky transformim është një lajm i mirë. Por thashë më mirë të vijmë dhe ta prezantojmë vetë sesa legjendat urbane të shpërndahen dhe të mos dimë pastaj kush është e vërteta.”

Veliaj tha se punimet pritet të mbyllen përpara sezonit turistik 2025. E ndërsa kujdeset të mos tingëllojë si premtim fushate, Veliaj thotë se më këtë mazhorancë fitojnë të gjithë dhe këtë e tregojnë edhe trazirat që qyteti kalon nga protestat e dhunshme.

“Për të gjitha këto arsye besoj që kemi një formulë ku fitojnë të gjithë. Nuk dua të tingëllojë si ato fushatat atëherë që me ne fitojnë të gjithë se qartazi me ata nuk fitoi asnjeri, përkundrazi Tirana njëherë në 6-7 muaj kalon një lloj lemze të madhe dhune, por fakti që qyteti kthehet në normalitet për çerek ore dhe fakti që në fakt ajo parada e dhunës tregon sa bukur është bërë qyteti dhe se sa funksional është qyteti dhe se sa është rregulluar infrastruktura e qytetit. Dhe fakti që shumicës dërrmuese të njerëzve ju dhëmb sepse kanë arritur të kuptojnë, kanë një logjikë më të madhe se sa një pjesë e politikës që ato janë para të taksapaguesve, shkatërrimi i këtyre objekteve është diçka që nuk i bëhet dëm një partie ose një kryetari, por i bëhet dëm një qytetari që thotë prit pak se këto janë lekët e mija.”

Sipas Veliajt, niveli i ndërgjegjësimit qytetar tashmë është i lartë dhe ka ngelur vetëm një grup i vogël që shëtit dhe dhunon nëpër qytet.

Tv Klan