U shëruan 567 qytetarë, në spitale 340 pacientë, 19 në terapi intensive

472 të infektuar të rinj dhe 13 viktima u regjistruan në 24 orët e fundit nga autoritetet shëndetësore, të cilat kryen 2794 testime. Vihet re një rritje e numrit të të infektuarve në Kryeqytet, ndërsa aktualisht në spitalet Covid në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 340 pacientë 19 në terapi intensive, nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 7 qytetarë nga Tirana, 2 nga Elbasani, 2 nga Lushnja, 1 nga Durrësi, 1 nga Shijaku, të moshave 67-78 vjeç ndërruan jetë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 567 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 87,760 që nga fillimi i epidemisë.

Ndërsa në qendrat e vaksinimit dhe në shkolla vijon procesi, ku vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 5,356 vaksinime antiCovid, duke e çuar shifrën në totale në 59,348 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përsërit thirrjen për qytetarët që të ruajnë distancën, të mbajnë maskën mbrojtëse dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes duke kontaktuar për çdo dyshim me mjekun e familjes.

Klan News