Kryeministri Fatos Nano është përgjigjur në Kuvend mbi zhvillimin e përshpejtuar ekonomik. Mocioni për debat u kërkua nga grupi parlamentar i Partisë Demokrate, por shifrat e qeverisë janë përplasur me ato të opozitës.

Fatos Nano: “Fondi i sigurimeve shoqërore që mbështet këtë politikë pensionesh për vitin 2004 është 44 miliardë lek nga 27.7 miliardë lek që ishte në vitin 2000. Unë ju siguroj se në fokus të të gjithë procesit të reformave dhe të transformimeve janë vënë interesat e shtetasve, mirëqenia e tyre në rritje dhe mbështetja e shtresave në nevojë duke reduktuar dhe tharë hartën e varfërisë.”

Nard Ndoka: “Ekonomia informale raportohet të jetë më e madhe se ajo formale, evazioni fiskal është i lartë, ka keqmenaxhim të kompanive shtetërore. Kësaj situate i shtohen dhe tendencat monopolistike të cilat shfaqen jo vetëm me monopolet në shërbimet publike apo në monopolet e dukshme në disa sektorë të rëndësishëm, por dhe në ato që për mendimin tonë janë më të rrezikshmit, monopolet e fshehura.”

Sali Berisha: “Kurse këta qeveritarë, këta e dinë se me kanibalizmin e tyre marrin jetë, këta e dinë se me kanibalizmin e tyre nisin shqiptarët nga Shqipëria, këta e dinë se me monopolet e kanibalizmin e tyre shkatërrojnë vendet e punës, këta i dinë të gjitha, pra këta janë dhjetë herë më të ligj, 100 herë më të ligj sesa kanibalët e agimit të qytetërimit dhe i tillë është kryekleptokrati i vendit.” /tvklan.al