Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka deklaruar se qeveria shqiptare nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e saj të deritanishëm, pro koalicionit ndërkombëtar, në luftën për çlirimin e Irakut. Pak ditë pas samitit të Beogradit, shefi i diplomacisë shqiptare, ka sqaruar se deklarata e nënshkruar atje, nuk është aspak në kontradiktë me qëndrimin e Shqipërisë pro luftës.

Ilir Meta:- “Në vazhdojmë të mbështesim fuqimisht dhe pa rezerva koalicionin, i cili edhe pse ka arritur të marrë në kontroll pothuajse të gjithë territorin dhe të rrëzojë regjimin e Bagdatit, pra regjimin e Sadam Huseinit, përsëri ka ende shumë sfida, të cilat kanë të bëjnë me kontrollin e plotë të të gjithë territorit, kanë të bëjnë me eliminimin e plotë të gjithë mbeturinave të këtij regjmi, me shmangien e konflikteve të mundshme etnike në Irak dhe gjithashtu me evidentimin, kontrollin dhe shkatërrimin e armëve të dëmtimit në masë në të gjithë territorin e Irakut. Përsa i takon një roli të mundshëm të OKB-së në të ardhmen, dua të theksojë se nuk ka ndonjë kontradiktë ndërmjet qëndrimit tonë të deritanishëm dhe kësaj deklarate, pasi është e qartë se vetë presidenti Bush dhe kryeministri Bler, si dy udhëheqësit kryesor të këtij koalicioni edhe në samitin e fundit të Belfastit, u shprehën për një rol të rëndësishëm të OKB-së pas luftës në Irak dhe po kështu të mos harrojmë se edhe SHBA edhe Britania e Madhe edhe ne jemi anëtarë të OKB-së”./tvklan.al