Donald Trump hyri në historinë e SHBA si ish-presidenti i parë që shpallet fajtor për disa vepra penale.

Juria prej 12 anëtarësh në Nju Jork e gjeti atë fajtor për 34 akuza për falsifikimin e regjistrave të biznesit të tij për të mbuluar një pagesë në këmbim të heshtjes se yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak para zgjedhjeve të 2016-ës.

Trump, në një deklaratë për mediat tha se pas këtij vendimi fshihet presidenti aktual i SHBA-ve.

“Ky ishte një gjyq i montuar nga Bajden. Ky ishte një gjyq i turpshëm. Vendimi i vërtetë do të jepet me 5 Nëntor nga njerëzit. Unë jam një njeri i pafajshëm, ne do ta apelojmë.”

Por presidenti amerikan Xho Bajden ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të rivalit republikan për garën e dytë presidenciale, duke i cilësuar si qëndrime të rrezikshme.

“Është deklaratë e pamatur dhe e rrezikshme. Është e papërgjegjshme që dikush të thotë se kjo ishte e manipuluar. Sistemi i drejtësisë duhet të respektohet dhe ne kurrë nuk duhet të lejojmë askënd ta shkatërrojë atë”.

Gjithsesi, masën e dënimit për Trump, gjyqtari kryesor i çështjes theksoi se do ta shpallë më 11 Korrik. Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 Nëntorit.

Kjo pasi sipas legjislacionit amerikan, dënimi për Trump mund të variojë nga një gjobë deri në katër vite burgim. Por sipas ekspertëve të së drejtës, kjo nuk pritet ta ndalojë Tramp të kandidojë për president më 5 Nëntor.

Tv Klan