Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të treguar, se  një grua dhe djali i saj, janë të pastrehë e prej ditësh jetojnë në lulishten e një pallati. Ai thotë, se i vjen keq ndaj vendosi të kërkonte ndihmën tonë për strehimin e tyre.

“Përshëndetje! Jam një qytetar nga Tirana! Banoj në zonën e ish-stadiumit Dinamo, “Stërman Stërmasi”. Kam dash të denoncoj këtë rastin, për nënën e djalin. Ata qëndrojnë në rrugë. Kanë qenë dikur me qira aty dhe i kanë nxjerrë nga shtëpia. Nuk e di më saktë hallin e tyre si është, por e di, që i kemi pas komshinj, edhe meqë i njohim, pse mos t’i ndihmonim, sa të kishim mundësi, qoftë edhe institucionet shtetërore, qoftë institucionet sociale, qoftë edhe nga mediat, që t’i jepej një dorë, sepse kanë 10 ditë, ose më shumë se një javë, që rrinë në rrugë. T’i strehojmë, t’i… nuk e di, se çfarë mund t’i ndihmojmë tek kjo pjesë, sepse ato duket, që psikologjikisht edhe mendërisht, ose kanë probleme, ose janë në limitet e tyre domethënë, që të kenë probleme mendore”, tha qytetari.

Gazetarja e “Stop” shkon në vendin e përshkruar nga qytetari dhe gjen zonjën Alba me të birin në rrugë. Zonja tregoi se jetonin me qira në një apartament, por i zoti i apartamentit i kishte nxjerrë jashtë.

“Unë rrija tek ky pallati këtu. Pronari na dërgoi lajm që duhet të ikni sepse ai do ta rikonstruktonte pallatin e tij. U larguam. Paguaja 300 qira. Kam pensionin, djalin në punë. Në darkë shkojmë në hotel. Një herë ma paguan një shoqe, një herë motra, i kam marrë njerëzit me radhë. Kam vajtur vetëm një herë në Bashkinë e Tiranës. Unë kërkoj strehim për vete dhe për djalin tim”, tha zonja.

Për këtë rast, “Stop” vuri në dijeni Shërbimin Social të Bashkisë Tiranë dhe drejtori Alfred Muharremi solli një ekip në terren, për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve.

Alfred Muharremi: Përshëndetje, zonja Odeta!

Gazetarja: Ndodhem pranë stadiumit Dinamo tek një stadium pallati ku kam prezent një zonjë bashkë me djalin e saj që nuk kanë mundësi strehimi. Prej një muaji pronari i ka nxjerrë jashtë për një konstruksion dhe kanë hasur vështirësi në gjetjen e një banese. Duke qenë se janë banorë të Tiranës ju morëm si institucion përkrahës.

Alfred Muharremi: Kemi të bëjmë me një rast emergjence në situatë rruge! Menjëherë unë do të komunikoj me kolegen time, drejtuesen e përgjithshme të Shërbimit Social, Bashkisë Tiranë, zonjës Subashi, që menjëherë me shërbimin e saj, që ka në dispozicion, e cila është skuadra e terrenit, e cila është skuadra pritëse dhe e identifikimit të të gjitha rasteve dhe situatave të rrugës, për të sjellë të gjithë shërbimin e saj në dispozicion të familjes dhe për ta akomoduar në qendrën e emergjencës për 72 orë, dhe patjetër do të jemi në mbështetje për t’i gjetur strehim.

Gazetarja: Të falenderoj.

Alfred Muharremi: Faleminderit juve, për raportimin! 

Grupi i shërbimit social në Bashki, mori nënë e bir dhe i strehoi përkohësisht në një qendër komunitare, kohë pas të cilës, ata me ndihmën e “Stop”, u kthyen sërish në banesën e tyre.

“Është marrë informacion se zonja dhe djali posedojnë një banesë private në emrin e tyre të cilën e kishin dhënë me qira. Djali që ka ndërruar jetë në periudhën e Covid kishte bërë pakt me një mikun e tij për ta mbajtur dhe ky zotëria nuk e lëshonte banesën. Familja është rikthyer në banesën e tyre”, tha përfaqësuesi i bashkisë.

“Banesën nuk e merrnim dot që të bënim një drejtës9i me gjithë miqtë tanë të bashkisë. Unë më në fund me ndihmën tuaj me vendosjen e drejtësisë mora banesën e djalit tim që ka vdekur. Shumë faleminderit azotit se unë kam futur kokën në një çati. Pa ju unë do isha pa shtëpi edhe sot e kësaj dite”, tha zonja Alba./tvklan.al