Ka disa ditë që banorët e qytetit të Volosit përballen me këto pamje të peshqve të ngordhur në gjithë bregdetin e zonës.

Kjo fatkeqësi ekologjike ka sjellë shqetësim tek qytetarët pasi këta mijëra peshq të ngordhur janë një bombë shëndetësore për shëndetin publik.

Organet e hetimit po përpiqen të zbulojnë shkaqet që kanë sjellë këtë krim mjedisor. Një pjesë e ekspertëve ja vënë fajin përmbytjeve të mëdha që preken zonën disa muaj më parë pas stuhisë të quajtur Daniel.

Ky fenomen ka ndodhur pasi peshqit u zhvendosën nga habitatet e tyre të zakonshme të ujërave të ëmbla gjatë periudhes se përmbytjeve duke ngordhur menjëherë pas kontaktit me ujin e kripur.

Kryebashkiaku i qytetit të Volosit ka kritikuar qeverinë e Kyriakos Mitsotakis për menaxhimin jo si duhet të kësaj fatkeqësie natyrore. Ekipet e bashkisë vetëm brenda dy ditëve kanë mbledhur mbi 57 ton peshq të ngordhur dhe kanë kërkuar edhe 7 anije të vogla për të pastruar zonen bregdetare.

Era e keqe ka arritur deri tek restorantet dhe hotelet aty pranë. Stuhia Daniel përmbyti 35,000 hektarë pranë liqenit Karla në fushën e Thesalisë vitin e kaluar, duke shkaktuar deme tek shtëpitë, të korrat, sistemet e ujitjes dhe kontrollit të përmbytjeve.

Vendasit në Volos, një destinacion popullor për turistët, janë të shqetësuar se kjo situatë do të dëmtojë bizneset e tyre dhe do të ndikojë në uljen e numrit të të huajve që preferojnë turizmin në këtë zonë.

Prokurorët kanë urdhëruar një hetim për këtë çështje. Greqia ka parë një rritje të stuhive dhe përmbytjeve intensive vitet e fundit, të cilat shkencëtarët thonë se janë rezultat i ndryshimeve klimatike.

Klan News