Deputetja e Partisë Demokratike i është përgjigjur ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha i cili i ka konsideruar të papranueshme veprimet e opozitës gjatë seancës së djeshme në Parlament ku paralajmëroi se ngjarjen do ta referojnë në SPAK.

Çupi në një reagim në “Facebook” shkruan se dikush duhet t’i thotë ministrit të Brendshëm se ky Parlamenti ynë mjeran nuk ka lidhje me demokracinë. Ndër të tjera ajo shprehet se Parlamenti është tempulli i Edi Ramës prej nga sundon kundër interesit të Shqipërisë.

“Dikush duhet t’i thotë Ministrit të Brendshëm se ky parlamenti ynë mjeran nuk ka lidhje me demokracinë. Partia Socialiste qendron në pushtet, sepse Edi Rama investoi paratë e korrupsionit, ndërsa krimi i organizuar investoi paratë e drogës. Parlamenti është tempulli i Edi Ramës prej nga sundon kundër interesit të Shqipërisë, që u ka hequr me dhunë të drejtën e votës, ka arrestuar liderin e opozitës dhe ka burgosur kundërshtarin politik, ka shkatërruar me mijëra hektarë pronë publike dhe private për interesa korruptive private, i ka dhënë krimit të organizuar ekonomië në dorë dhe tani ka menduar të copëtojë edhe shtetin shqiptar. Këto janë krimet që duhet ta shqetësojnë Ministrin e Brendshëm, sepse këto krime ngjajnë shumë me pushtetin e atyre forcave antidemokratike në Europën e së shkuarës! Europianët modernë nuk e pranojnë diktaturën, nuk pranojnë që shteti i së drejtës të zëvendësohet nga urdhrat e kryeministrit. Ne do të protestojmë njësoj siç protestojnë gjermanët, francezët, anglezët dhe çdo europian që e ka të shtrenjtë lirinë dhe dinjitetin njerëzor!”, shkruan deputetja Dhurata Çupi në postimin e saj.

Në seancën e pasdites të së hënës, për shkak të dënimit me 1 vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, opozita radikalizoi qëndrimet duke kaluar në bllokimin e seancës.

Në drejtim të kryeparlamentares u hodhën sende të ndryshme, një këmbë karrigeje, si dhe ju pengua me forcë fjala deputetëve të mazhorancës. Ndërkohë që në oborrin jashtë Kuvendit, opozita dogji karriget e sallës së Parlamentit. Deputeti Flamur Noka u përjashtua nga seanca, kurse për pjesën më të madhe të deputetëve të tjerë opozitarë, nga mazhoranca është kërkuar që ndaj tyre të merret masë disiplinore.

/tvklan.al