Pak surpriza në listën prej 25 futbollistësh të Didier Deschamps në grumbullimin paraprak të Francës drejt Euro2024. Surpriza e madhe është padyshim rikthimi i mesfushorit, N’Golo Kante. 33-vjeçari gjendet përkrah yjeve të nënkampionëve të botës dhe duke përjashtuar befasitë do të jetë edhe pjesë e kombëtares së “Gjelave” në turneun e kësaj vere.

Mesfushori mungonte prej 3 qershorit të vitit 2022. Mundësia e fundit për të fituar kampionatin Europian me fanellën e Francës do e ketë edhe sulmuesi, Olivier Zhiru. 37-vjeçari gjendet në listën paraprake dhe besohet të jetë sërish në fushë për kombëtaren e Francës.

Debutues për herë të parë është anësori i Pari Së Zhërme, Bradley Barcola. 21-vjeçari ka qënë fenomenal me kampionët e Francës duke tërhequr edhe vëmendjen me aftësitë e tij teknike. Lojtari më i ri në këtë listë është Warren Zaire-Emery, 18-vjeçari që ka frymëzuar lojën e Parisit dhe kurorëzuar si lojtari i vitit për të rinj në kampionatin e Lig.

Për herë të parë, Mbappe do të mbaj shiritin e kapitenit në një turne të madh. Franca, e cila nuk e ka fituar kampionatin Europian që nga viti 2000 do të luaj dy miqësore para se të udhëtojë drejt Gjermanisë. Në kampionatin Europian, ekskluzivitet i TV Klan që do të sjellë për shikuesit të 51 ndeshjet e turneut, Franca është shortuar në të njëjtin grup me Austrinë, Holandën dhe Poloninë.
Klan News