Kombëtarja shqiptare ka ulur intensitetin për takimin e parë në Kampionatin Europian përballë Italisë. Prej dy ditësh, kuqezinjtë kanë kryer vetëm një seancë stërvitore në ditë, për të qenë sa më të freskët fizikisht për duelin e së shtunës.

Skuadra dhe stafi teknik janë fokusuar te pjesa taktike dhe me ngarkesa fizike të reduktuara, teksa gjendja e grupit është në parametra optimale dhe nuk ka probleme fizike.

Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares: Forca jonë është grupi se kush luan e di se çfarë do të bëjnë. Kemi edhe diçka që ëhstë shumë e rëndësishme për mua, që janë tifozat që na mbështesin gjithmonë dhe që po i presim akoma më shumë.

Kjo ishte edhe stërvitja e fundit e Kombëtares në Kaiserau para ndeshjes së parë të grupit në Euro 2024 ndaj Italisë.

Kuqezinjtë do të stërviten në stadiumin e Dortmundit, aty ku do të luhet edhe sfida me kampionët e Europës. Edhe pse futbollistët janë të motivuar dhe të gatshëm për ndeshjen me Italinë, gjithsesi pesha e një përpalljeje të tillë ka filluar të ndihet në radhët e tyre.

Lojtarët janë të përgjegjshëm për rëndësinë e një paraqitjeje sa më të mirë në ndeshjen e parë të Grupit B, pasi kjo do të kishte ndikim edhe ne sfidat pasuese me Kroacinë dhe Spanjën.

Për më tepër edhe renditje në vendin e tretë të grupit, do të ishte një mundësi e mirë për të kaluar në fazën me eliminim direkt.

Klan News