#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Historitë e të enjtes/3 muaj më parë në një reportazh për urën e Kukësit të vendosur mbi lumin Drin, projektuesit e saj, kompanitë Salillari dhe Kastrati i premtuan gazetarit Blendi Fevziu se do të ishte personi i parë që do të kalonte mbi të me automjetin e parë që do të bënte kalimin. Premtimi u realizua ndërsa testimi i urës do të bëhet në këto ditë me 25 kamionë që do të kalojnë mbi të për t’i dhënë të gjithë tonalitetin. Ura është projektuar nga një kompani e rëndësishme italiane. Giorgio Risi ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu. Gjatësia e urës është 320 metra dhe ka harkun më të lartë në Ballkan dhe ndër më të lartat në Europë. Ajo peshon thuajse 7000 ton. Ura do të hapet në fund të muajit qershor.

Fevziu në mjetin e parë që teston urën e re të Kukësit, zbulon koston marramendëse të investimit

“Ura e Kukësit që lidh Tiranën me Prishtinën, një prej urave më të përfolura për arsye të strukturës së saj jashtëzakonisht interesante dhe ura që konsiderohet me harkun e hapur më të lartë në Europë, sipas projektuesit të saj është gati për t’u hapur. Rreth 2 muaj më parë, ne erdhëm për të parë procesin thuajse përfundimtar të urës që hapet në fund të muajit.

Atë ditë, ndërkohë që po diskutoja me inxhinierët dhe projektuesit e urës, ata më premtuan që mjeti i parë që do të kalojë në urë për të bërë testimin e saj do të jetë një mjet që do të shoqërohet nga kamerat e Tv Klan dhe të emisionit Opinion”, kështu e ka nisur pjesën e tretë të emisionit gazetari Blendi Fevziu.

Premtimi i dhënë para 2 muajsh është mbajtur dhe automjeti në të cilin ka hipur Fevziu ka qenë i pari që ka kaluar në urën e Kukësit për të bërë testimin, rrugë gjatë të cilët ka zbuluar dhe koston e këtij investimi, rreth 35 mln Euro.

Ermal Kondo, inxhinier: 5 mijë ton është e gjithë struktura e çelikut.

Blendi FevziuSa janë kamionët që do të testojmë ne sot?

Ermal Kondo: Kamionët janë në 40 ton.

Blendi Fevziu: Shkojmë ta testojmë. Pra, ky do të jetë automjeti i parë që do të kalojë në urë. Ec Zenel tani, na ectë mbarë. Tani jemi mjeti i parë që kalon nëpër urën e re të Rrugës së Kombit. 310 metra, po gjithë gjatësia që në fillim dhe deri në fund si aks, me gjithë pjesët lidhëse, sa shkon?

Ermal KondoNga mbështetja në mbështetje, jemi 270 metra që nuk ka asnjë pjesë mbajtës, vetëm struktura metalike. Është harku më i madh në rajon, ndoshta dhe në Europë. Në Ballkan është e sigurtë.

Blendi Fevziu: Si e nisët, a nuk iu është dukur e vështirë?

Ermal Kondo: Ishte sfiduese, ishte një punë shumë e veçantë, një punë e re dhe e pabërë ndonjëherë. Është puna e parë e kësaj përmase. Kostoja e urës si investim shkon diku rreth 35 milionë Euro. Unë mendoj se kjo rrugë e ka pasur të nevojshme një vepër të tillë, kaq të madhe dhe kaq të veçantë.

Blendi Fevziu: Tani po i afrohemi fundit. Testi eci mirë.

/tvklan.al