Ashtu si java që po lëmë pas, edhe ditët e fundjavës do të sjellin temperatura shumë të larta. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani ka thënë se pritet që dita të sotme të sjellë temperatura deri në 42 gradë Celsius, kryesisht në Berat, Kuçovë dhe në Urën Vajgurore. Ndërkohë, fundjava do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave.

Hakil Osmani: Dita e sotme do të vijojë me temperatura të larta, maksimumet do të jenë edhe në 42 gradë Celsius. Të regjistruar në qarkun e Beratit, Kuçova dhe Ura Vajgurore do të kenë temperatura të larta. Një pjesë e mirë e Ultësirës Perëndimore pritet të jenë mbi 39 gradë Celsius, duke përfshirë këtu Shkodrën, Tiranën, Beratin, Gjirokastra, Elbasani po ashtu do të kenë temperatura të larta.

Në Elbasan dhe Gjirokastër pritet të shkojnë edhe në vlerën 41 gradë Celsius. Edhe në zonat malore do të kemi maksimumet që shkojnë në 38 gradë Celsius, apo 39, këto në qarkun e Kukësit, ndërsa zonat që janë disi më të freskëta është juglindja me 36 apo 37 gradë Celsius. Edhe vija bregdetare do të ketë temperatura me maksimume që do të luhaten nga 37 deri në 39 gradë Celsius.

Dita e shtunë sjell një rënie të lehtë të temperaturave në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale në qytetet e zonave malore të jenë rreth 11 apo 12 gradë Celsius, këto kryesisht në qytetin e Ersekës apo të Peshkopisë.

Në mesditë parashikohet të kemi një rënie me 2 gradë Celsius duke bërë që maksimumet, më e ndjeshme do të jetë në zonat veriore, duke bërë që të zbresë deri në 38 gradë Celsius, ndërsa në jug mbeten temperatura të larta deri në 40 gradë Celsius në orët e mesditës dhe kryesisht Berati dhe Gjirokastra mbeten me temperaturat më të larta.

Dita e dielë sjell një tjetër rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që vlerat minimale që qytetet e zonave malore të zbresin rreth 10 gradë Celsius, ndërsa maksimumet në rang territori të jenë në vlerën e 38 gradë Celsius.

Sipas parashikimit të motit, fundjava pritet të jetë nën dominimin e kthjellimeve./tvklan.al