Dinamo City ka bërë një lëvizje të rëndësishme, duke afruar në skuadër mbrojtësin e majtë, Naser Aliji.

Klubi dinamovit, njoftoi firmën me ish-mbrojtësin e Shqipërisë, i cili ishte pjesë e kuqezinjve edhe në Europianin e Gjermanisë.

Aliji do të provojë aventurën e parë në Superligën shqiptare, pasi në të kaluarën ka luajtur me ekipe si Basel, Vaduz, Kaiserslautern, Virtus Entela, Honved dhe Voluntari.

“FC Dinamo City ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin e Kombëtares, Naser Aliji.

Ditën e sotme në prani të presidentit Adrian Bardhi dhe drejtorit Pinari, Aliji firmosi edhe kontratën që e bën pjesë të ekipit 18 herë kampion në vazhdim.

Mbrojtësi 30-vjeçar vjen tek blutë e kryeqytetit pas një karriere të suksesshme në Europë, me ekipe si Basel, Vaduz, Kaiserslautern, Virtus Entela, Honved dhe Voluntari në Rumani. Mirë se vjen Naser Aliji.”, shkruan klubi i Dinamos.

Më herët, një afrim e njoftoi edhe Vllaznia, që ka firmosur për tre sezone me sulmuesin Edlin Randy Essang Matouti. 21-vjeçari nga Gaboni është federuar dhe është gati për trajerin Thomas Brdaric.

“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se pjesë e tij do të jetë dhe futbollisti Edlin Randy Essang Matouti. Lojtari dhe klubi kanë firmosur sëbashku një kontratë trevjeçare. Ai është federuar ditën e fundit të mbylljes së merkatos, ndërkohë që sot ka mbërritur në Shkodër për t’iu bashkuar ekipit në stërvitje. Matouti është 21 vjeç, luan në repartin e sulmit dhe kohët e fundit ka debutuar edhe me kombëtaren e vendit të tij, Gabon. Mirë se erdhe në familjen kuqeblu.”, shkruan klubi i Vllaznisë. /tvklan.al