Lajme Arkiva 2003

Dita e dytë e protestës së banorëve të Bathores ka degjeneruar brenda pak minutash në përleshje me forcat e policisë së shtetit të cilët janë munduar të ndalin turmën. Vetëm pak minuta para se turma të godiste forcat speciale të ndërhyrjes së shpejtë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës Ilirjan Zylyftari u ka bërë thirrje banorëve të protestojnë qetësisht.

Eva Paja: Forca të shumta të policisë së kryeqytetit nën drejtimin e drejtorit të policisë Ilirjan Zylyftari kanë ardhur për të ndalur protestën e banorëve të bathores, por protesta është e pamundur të ndalet sepse turma ka marrë në drejtim të kryeqytetit.

Banorët janë rebeluar menjëherë duke derdhur breshëri gurësh në drejtim të policisë, por dhe ndërhyrja e këtyre të fundit si edhe të shtënat në ajër nuk i kanë ndalur banorët të ecin në rrugët e institutit të lartë bujqësor në Kamzë duke goditur vazhdimisht.

Njëra prej makinave të policisë është sulmuar në mënyrë të dhunshme për pasojë janë plagosur disa prej efektivëve blu ndërkohë që në mes të turmës janë parë edhe njerëz të armatosur.

Protestuesit janë ndalur në Urën e Treshit pranë institutit duke u përleshur sërish me forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Por me gjithë negocimet me përfaqësues të protestues të bathores dhe nëndrejtorit të përgjithshëm të policisë së shteti Pjerin Ndreu dhe drejtorit te policisë së Tiranës Ilirjan Zylyftari nuk është bërë i mundur kthimi mbrapa i banorëve.

Të bindur për kërkesat e tyre ekonomike në drejtim të qeverisë protestuesit kanë akuzuar policinë për ndërhyrjen dhe kanë kërkuar takim me kryeministrin Fatos Nano. Për më shumë se 4 orë Ura e Treshit ka qëndruar e bllokuar nga turma dhe policia si për kalimtarët ashtu edhe për automjetet.

Vetëm në mesditë një pjesë e protestuesve janë qetësuar duke deklaruar se nëse qeveria nuk ndërhyn menjëherë për zgjidhjen e kërkesave të tyre protesta nuk do të ndalet./tvklan.al