Shqipëria vijon të përballet me fluksin e turistëve që zgjedhin vendin tonë për të pushuar. Në 6 muajt e parë të këtij viti, në vendin tonë janë futur 4.5 milionë turistë. Një nga bashkitë që ka një numër të lartë vizitorësh është dhe dhe ajo e Lezhës. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu në një intervistë për “Klan News” tha se, edhe pse ende nuk është arritur piku i fluksit të turistëve, njësitë akomoduese në këtë qytet po funksionojnë me kapacitete maksimale.

“Lista e akomoduesve që kanë më shumë organizim e shërbim janë thuajse plot, sepse nuk është vetëm turizmi bregdetar ai që e mat këtë, por edhe ai në objektet historike, religjioze dhe ajo që është qershia mbi tortë, turizmi kulinar.”

Ndreu thotë se Lezha është një nga qytetet ku turistët jo vetëm preferojnë që ta vizitojnë, por edhe të jetojnë duke blerë edhe apartamente. “Janë 400 të huaj që kanë blerë apartamente për një vit e pak në Shëngjin dhe 800 shqiptarë të Kosovës. Pra ka një dyndje në blerjen e apartamenteve.”

Kryebashkiaku shprehet se përveç mundësisë së turizmit të larmishëm, turistët zgjedhin Lezhën edhe për pastërtinë e saj.

“E them pa modesti, më është konfirmuar që jemi më të mirët në pastërti. Ne vazhdojmë ta mbajmë këtë ritëm.”

Lidhur me konkurrencën mes Lezhës dhe Shkodrës përsa i përket turizmit, kryebashkiaku dha këtë përgjigje.

“Po shtrohet Shëngjin-Velipoja, por nuk do të jetë gati sivjet. Për punë një jave mbaron një rrugë alternative dalëse nga Shëngjini, nga Kune te Hidrovori. Do jetë dhe bypassi i Shëngjinit që është dhënë fondi nga BERZH.” Përveç infrastrukturës, kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Lezhës po punon në disa projekte të ujësillësit, të cilat priten të përfundojnë vitin e ardhshëm.

Klan News